Mbillte kanabis, arrestohet 54-vjeçari
SHKODËR - Policia e Shkodrës ka ndaluar një 54-vjeçar nga fshati Vukël i komunës së Këlmendit, në Malësi të Madhe, me akuzën e mbajtjes së lëndëve narkotike dhe armëve luftarake e të gjahut.
Luigj Cekaj, lindur e banues në Vukël, është prangosur në banesën e tij, pasi gjatë kontrollit të policies, në oborr i janë gjetur 42 rrënjë bimë narkotike të prera, si dhe 3 kg e 690 gram bimë narkotike kanabis sativa e tharë. Gjatë kontrollit në ambientet e brendshme të banesës së 54-vjeçarit Luigj Cekaj, janë gjetur dhe një armë zjarri pushkë dhe një armë gjahu çifte që i mbante pa leje.
Mësohet se policia ka pasur informacione lidhur me 54-vjeçarin se ai mbante bimë narkotike dhe ka gjetur momentin kur ai ka qenë në shtëpi duke e prangosur atë. Materialet e gjetura janë sekuestruar si provë materiale.