E Shtunë, 31 Tetor 2026

30 qershor 2009, afati i fundit për dosjet e pronave

Sipas nenit 24 të ligjit 9235, për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave, qeveria vendosi që pas datës 30 qershor 2009 asnjë nga agjencitë rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronës të mos pranojë aplikim të ri nga ana e pronarëve të tokave. Pra, e thënë ndryshe, të gjitha kërkesat për njohje, kthim apo kompensim prone, të cilat nuk janë plotësuar brenda afatit të përcaktuar nga qeveria do të digjen. Vlen të theksohet se ky propozim i Këshillit të Ministrave do të kundërshtohet nga ish-pronarët, pavarësisht se përcaktimi i afateve për kthimin e pronës është një proces, i cili do të ndihmonte agjencinë që të hartonte një draft me kërkesat e bëra në vite dhe nevojat që ka shteti për kompensimin e tyre. Ky proces duhet të ishte mbyllur prej datës 30 qershor 2008, por qeveria i dha edhe një vit afat, duke caktuar si limitin e fundit datën 30 qershor 2009. Mbi këtë bazë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk mund të kryejë asnjë veprim për njohjen dhe kthimin e pronës në asnjë prej zonave të Shqipërisë. Ashtu siç thekson edhe neni 24, i vetmi proces pune që po kryen tani personeli i agjencive qendrore në rrethet kryesore, sipas shpërndarjes së strukturës, është ai i kryerjes së pagesës së kompensimit të ish-pronarëve, që përfitojnë nga fondi që shteti ka caktuar prej vitit 2005 për këtë proces. Sipas ligjit, ky proces është më i gjatë në kohë dhe parashikohet të përfundojë më 2015-n. Ndërkohë, Shoqata e ish-Pronarëve ka theksuar dhe ka kërkuar më se njëherë që këtij procesi, si për njohjen e pronave dhe për kompensim, të mos i vendoset afat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›