Dita e "Jo"-së greke, aktivitete në Sarandë
28 Tetori, e njohur si Dita e "Jo"-së historike të popullit grek në luftën kundër fashizmit më 1940, ka mbledhur pasditen e së martës në kinoteatrin "Butrinti" të qytetit të Sarandës qindra njerëz nga komuniteti i pakicës greke që jeton në qytetin jugor dhe rrethinat e tij, si dhe të ftuar të tjerë. Takimin përkujtimor e ka çelur kryetari i organizatës "Omonia" për Sarandën, Leonidha Papa, i cili evokoi 28 Tetorin, si ditën e rezistencës së popullit grek ndaj pushtimit fashist italian të vendit. Në takim e mori fjalën edhe kryetari i PBDNJ, deputeti Vangjel Dule, ndërsa në emër të ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Nikollas Pazios ka përshëndetur konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Joanis Rizopulos. Për të pranishmit në takim nxënës të klasave në gjuhën greke pranë shkollës 9-vjeçare "Adem Sheme" në qytetin e Sarandës dhanë një koncert kushtuar 28 tetorit 1940. Koncerti i tyre nisi me himnin kombëtar të Greqisë e të Shqipërisë, për të vijuar me recitime dhe këngë në greqisht. Nxënësit e klasave greqisht nuk kanë qenë të vetmit në skenën e festimeve të "Omonia"-s. I ftuar ishte edhe grupi i valleve nga Paramithia, që ekzekutoi valle epirote, si dhe këngë çame, valle të Sulit dhe valle të kënduara kushtuar heronjve të pavarësisë, si Foto Xhavella, Marko Boçari etj. Pas kësaj, festa ka vijuar me një kokteil.
Th.Nika
Th.Nika