E Shtunë, 31 Tetor 2026

30%-shi i grave në kod, Withers kërkon të zbatohet

Withers kërkon që të bëhet realitet angazhimi për të përfshirë sa më shumë gra në vendimmarrje dhe ekzekutiv

TIRANË- Në ditën botërore kundër dhunës, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Withers, kërkon nga politika shqiptare që të bëjë realitet angazhimin e saj për të përfshirë sa më shumë gra në vendimmarrje dhe ekzekutiv. Duke marrë pjesë në forumin e hapur me temë “Fuqizimi politik i gruas”, ai ka vlerësuar se një shoqëri nuk mund të jetë thellësisht demokratike, në rast se nuk respekton kontributin e femrës, duke e përfshirë atë në të gjitha hallkat e drejtimit të shoqërisë. Në këtë drejtim, ai i është rikthyer edhe një herë ligjit për “Barazinë gjinore” dhe Kodit të ri Zgjedhor, ligje në të cilat është sanksionuar përfshirja e grave në masën 30 për qind, si në ekzekutiv, ashtu edhe në vendimmarrje, nëpërmjet përfaqësimit të saj në Kuvend, nëpërmjet kuotave të posaçme. Duke u ndalur tek sanksionimi në kod i detyrimit për të përfshirë në lista 30 për qind kandidate femra, diplomati amerikan ka theksuar se, tashmë, kjo dispozitë duhet të kthehet në realitet. “Shqipëria miratoi kodin, i cili përcakton se 30 për qind të listave të deputetëve, duhet të jenë gra. Tani kjo mbetet për tu zbatuar”, - tha Wthers. Por, sipas tij, kuota 30 për qind nuk duhet të përbëjë një detyrim tavan për forcat politike, por një detyrim dysheme. “Përcaktimi që bën kodi për 30 për qind femra në listat e deputetëve, duhet të jenë minimumi dhe jo maksimumi, pasi çdo përpjekje për të shkuar përtej saj, do të rriste më shumë vlerat e demokracisë shqiptare”, - tha ambasadori Xhon Withers. Ndërkohë që, diskutantët e tjerë në këtë forum, u shprehën skeptikë për zbatimin e këtij detyrimi nga forcat e ndryshme politike, pasi, sipas tyre, përfshirja 30 për qind e femrave në lista, nuk bën të detyrueshëm edhe përfshirjen në të njëjtën masë edhe të deputetëve të ardhshëm në parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›