E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i OKB-së, Shqipëria e Kosova dalin me rezolutë

Komisionet e jashtme të Kuvendit shqiptar dhe atij Kosovar, pritet të dalin me një deklaratë të përbashkët

TIRANË- Plani gjashtë pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për shtrirjen e kompetencave të EULEX-it, ka angazhuar diplomacitë e të dy vendeve shqipfolëse, Kosovës dhe Shqipërisë, në një qëndrim të përbashkët për ta refuzuar atë si të papërshtatshëm për realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë nga kosovarët. Por, përveç diplomacisë tradicionale të ushtruar nga ministritë e jashtme të dy vendeve tona, në këtë betejë është përfshirë dhe ajo që, shpeshherë, kohët e fundit është cilësuar si diplomacia parlamentare. Pikërisht për këtë çështje, pritet të diskutohet sot në Tiranë, në një takim të posaçëm midis dy komisioneve parlamentare të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Komisioni Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë i Shqipërisë, si komisioni mikpritës, ka zhvilluar dje një mbledhje paraprake ku, përveç masave në lidhje me pritjen që do t’u kushtohet homologëve të tyre kosovarë, ka bërë dhe hartimin e një draft-deklarate, e cila do të lexohet në emër të dy komisioneve lidhur me situatën politike dhe diplomatike të Kosovës. Megjithëse deklarata nuk është preferuar të bëhet publike nga hartuesit, mësohet se nëpërmjet saj do të shprehet qëndrimi i përbashkët i Parlamentit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës lidhur me planin gjashtë pikësh të Ban Ki Munit. Kështu, deklarata e përbashkët pritet të përforcojë edhe një herë qëndrimin e deritanishëm që ka mbajtur politika shqiptare në të dy vendet, duke e konsideruar këtë planë si të papranueshëm, pasi tenton të bëjë një ndarje të territorit të Kosovës, duke mos marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur në këtë vend, që pas shkëputjes nga Serbia dhe shpalljes së pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›