30-vjeçari bullgar, personi që ka blerë Gjirin e Kakomesë
Një shtetas bullgar, 30-vjeçar, është blerësi zyrtar i 290 mijë metrave tokë në Gjirin e Kakomesë. Në kontratën e shitjes që mban datën 23 mars 2012, mes zyrës së ALUIZNI-t, përfaqësuar nga ish-drejtori Shaban Memia, blerësi Riviera Kakome përfaqësohet nga shtetasi Jeko Petkov Kolev, i datëlindjes 1982, raporton shqiptarja.com.
Kolev shfaqet si përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Bullgaro-Shqiptare, një shoqate jofitimprurëse, regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me nr. Vendimi 2701, datë 07/12/2009. Kolev është aty anëtar i Bordit Drejtues, bashkë me shtetasit e tjerë bashkëpatriotë: Bozhidar Mihaylov Todorov; Petyo Petkov Toshev dhe Martin Danovsky.
Zyrtarisht bëjnë shërbime ligjore për biznes në Shqipëri deri te dhënia e licencave për ndërtim, për import, transport, shpërndarjen e ilaçeve, përgatitje të dokumentacionit për të marrë pjesë në tenderat për projektet e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, ku investitor është shteti shqiptar, Komisioni Evropian, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucioneve të tjera dhe donatorë te tjere të pranishëm në Shqipëri. Selinë e ka në Tiranë, në katin e 14 të Kullat Binjake përballë selisë së qeverisë shqiptare. Numrat e kontaktit nuk të ndihmojnë, madje numri celular nuk ekziston.
Një dokumenti i gazetës TemA dëshmon se në fillim të muajit mars, ndërsa Memia ka qenë në prag të largimit nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, ka firmosur shitjen e tokës për llogari të kompanisë Riviera, e cila tashmë vepron në Gjirin e Kakomesë si një subjekt pa një status të subjektit turistik. Kompania franceze Club Med është tërhequr nga projekti prej vitit 2007 dhe me kuadrin ligjor shqiptar i bie që koncesioni i dhënë dikur nga Fatos Nano të jetë i pavlefshëm.