300 emigrantë dhe të diplomuar jashtë vendit bashkohen me Aleancën KuqeZi. Spahiu: Ju jeni gjysma e mohuar
Aleanca KuqeZi ka promovuar sot afro 300 emigrantë dhe studentë të sapodiplomuar, që janë kthyer për tiu bashkangjitur Aleancës Kuq e Zi. Studentë, intelektualë, profesionistë, të cilët prej vitesh kanë studiuar, diplomuar, punuar apo jetuar në të gjithë botën, u përfshinë sot në strukturat e Aleancës KuqeZi duke u kthyer përfundimisht në atdhe.
Aleanca KuqeZi vendosi politikisht që një kuotim në qeverisjen e tyre nëse do vijnë në pushtet, do i rezervohet të gjithë shqiptarëve që kanë studiuar, diplomuar dhe jetuar jashtë Shqipërisë.
Aleanca KuqeZi deklaron që ashtu si Bosnja apo Kroacia e pas komunizmit edhe ne shqiptarët duhet të vendosim në qeverinë tonë disa ministra apo drejtues të administratës publike nga diaspora, theksoi Sekretari për Diasporën, Asllan Musta.
Në takim mori pjesë edhe kreu i Aleancës KuqeZi, i cili theksoi: Prej 22 vjetësh socialistët dhe demokratët ju premtuan, por sërish ju mashtruan. Ju jeni gjysma e popullit të mohuar në çdo të drejtë kushtetuese nga një qeveri, e cila qeveris pa vota plebishitare, po me 20% të elektoratit. Ju që ndërtoni Londrën, Romën, Gjenevën, Brukselin, Berlinin dhe qindra qytete në botë sot i bashkangjiteni një projekti të një Shqipërie tjetër.
Spahiu uroi 300 emigrantët e anëtarësuar në Aleancën KuqeZi duke nënvizuar: Mirësevini në lëvizjen mbarëkombëtare, të cilën shqiptarët e kanë pritur për një shekull, mirësevini në llogoren e luftës kundër mafies bardheblu, mirësevini në frontin e bashkimit kombëtar, mirësevini në kantierin e ribërjes së Shqipërisë natyrale nga Mitrovica në Prevezë, Shqipëria po pret bijtë e saj që kthehen ashtu si një shekull më parë kur heronjtë e këtij kombit fituan pavarësinë, por nuk arritën të ndërtonin një shtet të plotë, sovran, etnik, natyral dhe ligjor.
Ju jeni trashëgimtarët për ta çliruar Shqipërinë nga vargonjtë e krimit, korrupsionit, tradhtisë, vasalitetit, mjerimit, varfërisë, ndarjes dhe poshtërimit kombëtar. Mirësevinë në Shqipërinë, e cila ju pret ta ç’ngjyrosni nga ngjyrat bardheblu të mallkimit 22 vjecar dhe ta vishni atë kuq e zi, ashtu si nënës Shqipëri i ka hije. Është koha që ne të tregojmë se jemi të aftë të bashkohemi, përfundoi fjalën e tij lideri i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu.