Berisha- Ramës: Do hysh në Gines si i vetmi kryetar opozitë që e do kryeministrin me imunitet
Kryeministri Sali Berisha i bëri sërish thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të votojë për heqjen e imunitetit. Berisha tha se afatet kohore për miratimin e ndryshimeve kushtetuese janë propozuar nga vetë PS.
Kam një ftesë të re për zotin Rama për të votuar më datën 6 gusht projektin e përbashkët për kufizimin e imunitetit. Duhet të informoj shqiptarët se data 6 gusht nuk është arbitrare, por është e miratuar në Kuvend pa asnjë kundërshtim të asnjë force politike. Ajo detyrohet nga rregullorja e parlamentit të ndryshuar në vitin 2008 me kërkesën e PS. Pasi pati kritika se u veprua me shpejtësi në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, deputetët e PS sollën këtë nen që përcakton të gjithë kohën e procesit kushtetues.
Procesi kushtetues është procesi më serioz që ka një parlament dhe ndryshimi është i përcaktuar në rregullore. Neni i ardhur nga PS përcakton se pas përfundimit të relacionit, brenda 2-3 javëve duhet të votohet dhe kjo ka korresponduar me datën 6 gusht, pra nuk e përcaktojmë ne, por neni i rregullores. Një proces i nisur nuk mundet kurrë të ndalohet, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se Rama e do imunitetin për atë që e quan klubi i miliarderëve.
Pasi i pranuam të gjitha, pasi votuam në parim dhe nen për nen, u dërgoi me SMS ultimatumin që të mos votojnë në tërësi. I çova një mesazhier zotit Xhafa ku i thosha: kot e ke se nuk do të lejojë të votosh. Nuk kishin vërejtje për asgjë, pastaj nuk ishin pro, sepse nuk ishte pro Sadriu, Toma, Fideli dhe nënkryetari në hije i asaj partie, që de facto është më shumë se nënkryetar, tha Berisha.
Keni parë ju çfarë argumentesh përdor, kërkon Kushtetutën e pakicës, për të dëshmuar se ruan konceptin e sundimit të pakicës dhe pastaj kur nuk e mbron këtë, thotë se korrupsioni nuk luftohet me heqje imuniteti. Po si luftohet, duke mbajtur murin e imunitetit? E ftoj, përndryshe do hyjë në Gines si i vetmi kryetar opozite që e do kryeministrin me imunitet. Të gjithë e dinë që nuk e ka hallin tek Sali Berisha e ministrat, por tek klubi i miliarderëve në PS, vijoi kryeministri.
Berisha tha se gjykatësit pa imunitet mendohen më mirë përpara se të shkelin ligjin. Ai shtoi se dhe prokuroria, pavarësisht të metave, do punojë më shumë nëse zyrtarët nuk kanë imunitet.
Berisha akuzoi sërish Ramën se nuk e mbrojti as Majkon dhe as Xhafën, të cilët pasi i mandatoi si relatorë, i asgjësoi politikisht në mes të punës.
