Panariti në Kosovë, me ftesë të homologut Hoxhaj

Edmond Panariti
PRISHTINE- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti ka nisur sot një vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë të homologut të tij kosovar, Enver Hoxhaj.
Takimi zyrtar ndërmjet dy ministrave zhvillohet në orët e pasdites, në përfundim të të cilit Hoxhaj e Panariti do të mbajnë një takim të përbashkët me gazetarët.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Panariti do të ketë bisedime dypalëshe edhe me Presidenten e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga, me Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, me Zv/kryeministrin e Parë, Behgjet Pacolli, dhe me Zv/kryeministrin dhe Ministrin për Administrimin dhe Pushtetin Lokal, Sllobodan Petroviç.
Qëllimi vizitës do të jetë zgjerimi dhe intensifikimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, diskutimi mbi ecurinë e proceseve integruese rajonale dhe europiane, pjesëmarrja e Kosovës në nismat e forumet rajonale, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i përpjekjeve për njohje të reja të Republikës së Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Ministri do të zhvillojë homazhe në vendin ku prehet Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova si dhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.