E Shtunë, 31 Tetor 2026

300 mijë eurot e FSHF-së dhe 74-vjeçari Oto Bariç

Nga Franc Hoxha

Në fakt, për fat të mirë 300 mijë eurot e kontratës që Federata Shqiptare e Futbollit (nënkupto presidenti Armand Duka) duhet t'i paguajë kroatit 74-vjecar Oto Baric (trajneri më i moshuar i planetit), nuk janë pjesë e parave të takspaguesve shqiptare. Dhe deri këtu, kupola "jeshile" e FSHF-së mund të jetë shumë e qetë në kuptimin e shpjegimit të detyrimeve financiare. Alternativa Baric doli në skenë pas refuzimit të gjermanit Brigel, ndaj të cilit anëtarët e nderuar të Komitetit Ekzekutiv vendosën kushte të papranueshme. Kroati 74-vjecar, një legjendë e trajningut europian, ishte i vetmi nga kandidatët që nuk i kishte problem kushtet financiare të kontratës me FSHF-në. "Për mua paratë nuk janë një problem. Djali im është me profesion arkitekt në Vienë dhe me të ardhurat që kemi mund të jetojmë shumë mirë", - ishte shprehur Oto "Maksimum" para se të firmoste kontratën si trajneri i 19-të i Kombëtares shqiptare. Baric me moshën e tij 74-vjecare është trajneri me moshë më të madhe që ka drejtuar Shqipërinë, kur më parë këtë rekord e ka mbajtur legjenda Loro Borici që për të herë të katërt dhe të fundit e mori drejtimin e përfaqësueses në moshën e "plakur" 61 vjecare. Por 300.000 euro, rreh 420 milionë lekë të vjetra, janë shumë për trajneri e një vendi "inekzistent" sic shkruan ironikisht shtypi sportiv rumun, dhe për më tepër për një trajner që fare bukur mund të shkruante i qetë kujtimet e tij rreth futbollit anës Danubit në Vienë. Ndeshja e humbur me Rumaninë, nuk provoi vetëm rezultatin "2", por edhe atë stad ende të papjekur të futbollit shqiptar, dhe në momentin më të vështirë, kur ndërrimi i brezave dhe i reparteve duhej të bëhej edhe me rekrutimin e një trajneri shqiptar në krye të Kombëtares. Nga gjashtë trajnerë që kanë drejtuar përfaqësuesen shqiptare: Shyqyri Rreli, Bejkush Birce, Neptun Bajko, Medin Zhega, Sulejman Demollari dhe Astrit Hafizi, asnjë prej tyre nuk u ftua të bashkëdrejtonte me "arkitektin" me kostum perëndimor Oto Baric. Bajko, Birce, Demollari, Hafizi përbëjnë katërshen heretike për drejtuesit e FSHF-së, duke qenë se dhe janë krititukuesit e saj më të mëdhenj, por me një mision të vetëm përsosjen e strukturës së futbollit shqiptar. Dy rekordmenët shqiptarë me ekipet kombëtare Bajko dhe Hafizi as nuk bëjnë pjesë në këshilltarët e presidentit Duka apo në rrethin e "mentorëve" të futbollit shqiptar. Federata Shqiptare e Futbollit vërtet ka nevojë për administrim në pikpamjen e menaxhimit si institucion "jo-shqiptar" të burimeve financiare të FIFA-s (Blater) apo UEFA-s (Johanson), por më së shumti ka nevojë për njerzit e futbollit, për kritikët profesionistë dhe jo për opinionistët e paguar të emisioneve sportive. "Asnjë trajner i huaj nuk mund ta cojë Shqipërinë në finalet e një europian apo botërori, edhe sikur ai të paguhej 1 apo 2 milionë euro", - tha për albania-sport, një nga ish-trajnerët e shkarkuar në mënyrë më paturpshme nga Komiteti Ekzekutiv. "Një pjesë e atyre 300 mijë eurove do të ishte shumë më mirë të investoheshin në fubbollin shqiptar duke nisur me organzimimin e futbollit të moshave, terreneve apo cdo gjëje tjetër në shërbim të futbollit se sa të shkonin dëm në llogaritë bankare të dikujt që do ta harrojë Shqipërinë, qysh ditën e parë të largimit prej saj". Gjithsesi për fat të mirë "aristokrati" Oto Baric nuk ka përngjasime karakteri me "mafiozin" Xhuzepe Dosena, që pasi morri nga arka e FSHF-së 100.000 euro (ktheu më pas 70 mijë euro) zhvilloi dy ndeshje (një barazim me Zvicrën dhe një humbje me Rusinë) u zhduk pa lënë gjurmë në kontinentin afrikan, ashtu sic bëri më pas edhe "korrekti" Brigel, adresa e re e të cilit është në kontinentin aziatik. Ajo që mund të shtrohet si pyetja e parë dhe shumë e rëndësishme: vërtet paguhet nga FSHF-ja trajneri Oto Baric 300 mijë euro? Duhet të jetë e vërtetë pasi edhe biletat në tregun e zi u rritën me dyfishin e cmimit për të patur një stadium që anonte nga "ana e zbrazët".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›