300 minatorë, pa punë që nga fillimi i vitit
Të paktën 300 punonjës që nga fillimi i këtij viti, në Minierën e Bulqizës, kanë mbetur të papunë, për shkak të zvogëlimit të kërkesës së kompanive koncesionare për mineral kromi. Bulqiza është një nga burimet më të pasura të kromit në botë dhe aktualisht është dhënë me koncesion me pjesë të ndryshme për llogari të 22 shoqërive private vendëse dhe të huaja. Llogaritet që në të gjitha këto shoqëri nxjerrëse dhe seleksionuese minerali kromi në galeri dhe stoqe, gjatë vitit të kaluar kanë punuar gjithsej mbi 300 punonjës, përfshi edhe gra dhe fëmijë nën moshë. Nisur edhe nga koniunktura e çmimit të mineralit që për vitin e kaluar ka qenë shumë e favorshme, pagesa për këta punonjës ka qenë e mirë. Me paratë që ata fitonin, shlyen detyrimet në pikat e shitjes së qytetit, duke u "çliruar" nga defterët e borxheve të këtyre dyqaneve. Por, një situatë e tillë nuk vazhdoi gjatë për ta, pasi me fillimin e këtij viti, në kuadër të krizës globale, ulja e kërkesës dhe çmimit të blerjes së kromit, çoi në mbylljen e këtyre shoqërive private krom-nxjerrëse. Kështu nga 22 shoqëri që veprojnë vetëm në Bulqizë, në mesin e muajit shkurt të këtij viti, mbyllën aktivitetin 18 prej tyre dhe vetëm 4 mbijetuan, duke e vazhduar punën, por edhe ato me fuqi punëtore të reduktuar. Specialistë menaxherë të krom-nxjerrjes pohojnë për një rënie drastike të kërkesë-ofertës për krom në tregjet ndërkombëtare ku aktualisht 1 ton krom shitet me 120 dollarë nga rreth 600 dollarë që shitej në vitin e kaluar. Asnjëra nga këto shoqëri nuk është në gjendje të rinisë aktivitetin për mungesë të fuqisë paguese për punëtorët, pasi me këtë çmim aktual shitjeje, kostoja e nxjerrjes së kromit mbetet shumë e lartë. Shpresat se në mesin e këtij viti situata në industrinë e nxjerrjes së mineraleve do të ndryshonte pozitivisht, duket se tashmë janë shuar, pasi nuk shihet asnjë lloj përmirësimi. Duke marrë parasysh se në qytetin minator të Bulqizës e vetmja mundësi jetese për banorët mbetet nxjerrja e kromit, familjeve të varfra të qytetit u shtohen edhe 300 të tjera, që siç pohojnë vetë këta punonjës të mbetur të papunë, vazhdojnë të mbijetojnë me anë të defterëve të borxheve nëpër dyqane.
Disa muaj më parë, qeveria anuloi një duzinë kontratash koncesionare, të kompanive që shfrytëzonin zonën D, pjesa më e pasur dhe më e leverdishme e kompleksit minerar të Bulqizës, pasi vuri re se mungonin kushtet e sigurisë në punë. Punonjësit e kompanive dolën sërish në rrugë. Që nga rënia e komunizmit, një numër i madh qytezash minerare kanë shkuar drejt degradimit dhe braktisjes në të gjithë Shqipërisë, si pasojë e mungesës së investimeve në këtë sektor.
Disa muaj më parë, qeveria anuloi një duzinë kontratash koncesionare, të kompanive që shfrytëzonin zonën D, pjesa më e pasur dhe më e leverdishme e kompleksit minerar të Bulqizës, pasi vuri re se mungonin kushtet e sigurisë në punë. Punonjësit e kompanive dolën sërish në rrugë. Që nga rënia e komunizmit, një numër i madh qytezash minerare kanë shkuar drejt degradimit dhe braktisjes në të gjithë Shqipërisë, si pasojë e mungesës së investimeve në këtë sektor.