E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesionet shqiptare, në shitje në Itali

Disa nga kontratat koncesionare të lëshuara nga qeveria shqiptare për projekte hidrocentralesh dhe aerogjeneratorësh u publikuan gjatë ditëve të fundit në shitje në faqet italiane të njoftimeve falas, duke fryrë shqetësimet e disa ekspertëve mbi mungesën e procedurës së kontrollit të seriozitetit të investitorëve që kërkojnë kontrata të tilla në Shqipëri.

Një projekt për park prodhimi energjie me anë të erës me fuqi të instaluar prej 40 megavatesh, si dhe një projekt hidrocentrali me fuqi të instaluar 20 megavat u reklamuan në mininjoftimet falas në një faqe italiane në internet.

Një projekt hidrocentrali me madhësi të tillë kërkon investime që variojnë nga 10 në 30 milionë euro, ndërsa një park eolik me përmasa të tilla kërkon minimalisht 40 milionë euro investim.

Qeveria shqiptare ka dhënë koncesione për hidrocentrale të vegjël që kanë së bashku fuqi të instaluar rreth 100 MW, si dhe ka firmosur projektet për pesë parqe të prodhimit të energjisë nga era.

Treg pa blerës

Shqipëria ka akorduar gjatë viteve të fundit dhjetëra licenca koncesionare për hidrocentrale të vegjël apo parqe eolike, duke ofruar kushte shumë bujare për investitorët. Por vetëm pak prej koncesioneve të nënshkruara kanë nisur nga puna dhe kanë rënë në dorë të investitorëve seriozë. Pjesa më e madhe e tyre kanë dalë në shitje, ku duket se nuk kanë pasur shumë fat. Janë të shumta kompanitë koncesionmarrëse që kërkojnë të shesin letrat e projekteve të tyre dhe lejet e siguruara, por nuk ka shumë kërkesë.

Problemi më i madh qëndron në faktin se kontratat e nënshkruara mund të mbeten në letër dhe mund të mbajnë larg këtij tregu investitorët me të vërtetë të interesuar për një aktivitet të tillë. Më herët ka ndodhur që kontrata koncesionare të nënshkruara kanë mbetur në letër për më shumë se një dekadë, duke bllokuar të gjithë zhvillimin e vendit, për shkak se koncesionmarrësit nuk kishin kapitale për të investuar dhe qenë në kërkim të investitorëve seriozë. Qeveritë e mëparshme u kanë ofruar kontrata koncesionare me vlerë qindra milionë euro kompanive që kanë përmasat e kioskave apo ndërmjetësve spekulantë.

Miliardat e ëndërruara

Koncesionet, të cilat premtonin investime prej miliarda eurosh dhe mijëra vende pune të hapura, ishin edhe një nga premtimet kryesore të fushatës zgjedhore të qeverisë. Në kulmin e krizës energjetike, në verën e vitit 2007, qeveria pati shpjeguar se kriza do të zgjidhet në Shqipëri në verën e vitit 2009 "përmes përfundimit të termocentralit të Vlorës dhe ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël". Këto investime pritej të shtonin 200 MW fuqi të instaluar në sistemin shqiptar që aktualisht ka 1500 MW. Shqipëria ka nevojë aktualisht për së paku 400 megavat për të plotësuar kërkesën. Por edhe objektivi për të shtuar 200 MW brenda dy vjetësh, nuk u realizua. Termocentrali i Vlorës, për shkak të ndryshimeve që iu bënë në projekt, nuk do të përdoret përveçse në raste krize, pasi energjia e tij pritet të kushtojë rreth 75 euro për megavat/orë, ndërkohë që në tregun ndërkombëtar gjendet më lirë se kaq. Vetë termocentrali pritet të vihet në punë pas disa muajsh, për shkak të dështimit të tenderit për blerjen e naftës.

Pothuajse të gjitha koncesionet e dhëna gjatë dy viteve të fundit, përfshirë edhe disa të tilla që kanë premtuar mbi 1 miliardë euro investime, kanë rënë në duar kompanish të vogla dhe të panjohura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›