E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet "zbehin" punimet në autostradën Kukës-Morin

Muaji i fundit parazgjedhor ishte për autostradën ndoshta muaji më intensiv ku kompanitë ndërtuese punuan me ritme të larta për të përmbushur të paktën një pjesë të mirë të kontratës dhe mundësuar kalimin e mjeteve në një aks rrugor. Gjithçka eci mjaft mirë për segmentin Rrëshen-Kalimash, që konsiderohet "pjesa e luanit" e krejt autostradës, ku vërtet u përurua njëri aks i rrugës dhe për pak muaj, siç po duket, do të përfundojë plotësisht. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për segmentet e tjerë, ku puna ka ecur me ritme "shqiptare" dhe ku afati i përfundimit të kontratës është shtyrë të paktën tri herë. Ndërsa nga Kolshi, rreth 9 kilometra nga Kukësi mjetet marrin autostradën për të udhëtuar drejt Tiranës, nga Kukësi në Morin projekti është realizuar vetëm pjesërisht. Janë ende dy ura të papërfunduara, njëra prej të cilave e kompanisë "Granit" (e cila ende punon në urën e madhe të lumit Luma, më e madhja në gjithë autostradën dhe, nga ana tjetër edhe më spektakolare). Përveç "Granitit", mbeten prapa edhe kompanitë e tjera, këto shqiptare, që punojnë për ndërtimin e urës dhe rreth-rrotullimit te vendi "Ura gjashtëmetroshe", edhe pse drejtues të punimeve aty thonë se po punojnë me ritme të larta. Edhe segmenti që lidh qytetin e Kukësit me autostradën ka mbetur përgjysmë ashtu siç e ka lënë firma sipërmarrëse, rreth dy vjet më parë, kur aksi i rrugës devijoi nëpër lagjen nr. 3 të qytetit të Kukësit.

Zgjedhjet parlamentare kanë zbehur punimet e rrugës. Deri pak kohë para zgjedhjeve flitej për afate që duheshin respektuar, një pjesë e të cilave përfundonte vërtet në fundin e muajit maj, një pjesë në fundin e qershorit e kështu me radhë. Por tashmë nuk flitet më për gjëra të tilla. Situata e zgjedhjeve e ka zbehur aq shumë punën sa, për disa ditë u duk se të gjithë po prisnin, që nëse fiton Edi Rama, do të ndryshonte qëndrimi për rrugën. Edhe pse Rama ishte shprehur në Kukës se rrugën do ta përfundonte ai, dhe ishte shprehur se e çmonte si rrugë të kombit etj., njerëzit në Kukës, përfshi një masë të punëtorëve, kishin frikë se Rama do të ndryshonte ritmin e punës së rrugës. Madje në ditët që pasuan zgjedhjet, në segmentin e autostradës nga Kukësi në Morin, përveç firmës "Granit", pothuajse nuk punohej, ose punohej me ritme tepër të ngadalta. Në lagjen nr. 3 të Kukësit, banorët e zonës janë mësuar të ndjekin çdo ditë me kuriozitet punimet dhe ecurinë e asaj pjese interesante që kalon përbri. "Pse nuk punohet këto ditë, a ndoshta janë angazhuar si komisionerë...", pyet një pensionist. Të majtë e të djathtë në Kukës duken tepër të interesuar për rrugën dhe kanë ndjekur kurbën e punimeve, sipas moralit të politikës: ulet humori i qeverisë, bie ritmi i punës. Por pas aleancës me LSI-në edhe në autostradë puna ka nisur, "do të kemi të njëjtin Kryeministër, kështu që kjo punë do të na paguhet" tha një manovrator i makinerisë së rëndë që sheshonte dhe shtypte stabilizantin në rrugë, ndërsa një kamion cisternë e lagte me ujë. Nga ana tjetër, kishte prej atyre punëtorëve që thoshin se asgjë nuk do të ndodhte edhe po të kishte fituar Rama, rruga ka nisur dhe do të mbarohej, e shumta mund të vonohej disa muaj sa të mësohej shefi i ri i qeverisë me punën. Ndoshta janë të rralla rastet në botë ku njerëzit të mendojnë se një investim rrezikohet me humbjen apo ardhjen në pushtet të forcave të ndryshme politike, por ajo që vihet re është se ecuria e punimeve të rrugës po matet me pulsin e zhvillimeve politike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›