Kriza globale, tërhiqet Brukseli për zgjerimin e BE-së
Kriza financiare që po kalon bota sot duket se do të prekë edhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Burimet zyrtare në Bruksel bëjnë të ditur se shumë vende anëtare të bllokut po hezitojnë të inkurajojnë zgjerimin e shpejtë të BE-së me disa vende të Ballkanit Perëndimor në këtë periudhë. Në një shkrim të “Financial Times”, i publikuar nga gazetari Tony Barber në Bruksel, komentohet procesi i anëtarësimit për tre vendet kandidate për anëtarësim, Kroacia, Maqedonia dhe Turqia, si dhe katër vendet e tjera që janë kandidate potenciale, ku përfshihet edhe Shqipëria. Sipas tyre, zyrtarë të BE-së, pohojnë se ka një rënie të theksuar të optimizmit për zgjerimin e Bashkimit Europian në muajt e fundit për shkak të krizës financiare globale dhe njëherësh për shkak të problemeve të Marrëveshjes së Lisbonës mbi reformën institucionale.
Komisioni Europian, i cili është përgjegjës i procesit të zgjerimit, do të publikojë javën që vjen raportet e tij vjetore mbi progresin e bërë nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të bëjë takimin për orientimet e Turqisë për zbatimin e kritereve të anëtarësimit në BE. Zyrtarë të BE-së shpresojnë se Kroacia mund të jetë në gjendje që të përfundojë bisedimet e saj nga fundi i vitit 2009, duke i hapur rrugë marrëveshjes së anëtarësimit që mund të firmoset në vitin 2010 dhe anëtarësimit të plotë të saj në vitin 2011. Burime nga media të tjera kanë paralajmëruar zvarritjen e procesit të integrimit të vendeve të rajonit edhe për shkak të mosrealizimit të reformave nga vetë këto vende aspirante për kandidate. Konkretisht për Shqipërinë janë kritikuar disa pika në angazhimet e qeverisë, si tragjedia e Gërdecit dhe hetimet për zbardhjen e saj, lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi apo Kodi Zgjedhor.
2 Nentor 2008