3000 studentë bojkotojnë mësimin

Studentë të fakultetit të Drejtësisë dhe atij të Shkencave Sociale kanë pezulluar dje mësimin, pasi ndihen të rrezikuar brenda mureve të plasaritur të ndërtesës
TIRANË - Çarja e mureve të disa prej auditorëve të ndërtesës ka bërë që rreth tre mijë studentë të fakultetit të Drejtësisë dhe atij të Shkencave Sociale të bojkotojnë mësimin. Ata u shprehën se ndihen të rrezikuar në ambientet e këtyre fakulteteve, për shkak të plasaritjes jo vetëm të mureve, por edhe të dyshemeve të disa prej auditorëve ku jepet mësim. Lidhur me këtë problem, si dekani i Shkencave Sociale, Dhori Karaj, ashtu edhe ai i Drejtësisë, Skënder Kaçupi, deklaruan se janë në pritje të verifikimeve të parametrave inxhinierikë të ndërtesës, vendim i cili u mor në mbledhjen e fundit të senatit të Universitetit të Tiranës. Skënder Kaçupi u shpreh se UT-së i është dërguar një letër, me anë të së cilës i është bërë i ditur ky problem. “Këtë problem e kemi denoncuar edhe në prokurori dhe presim grupin e ekspertëve që të inspektojnë dhe të shohin situatën në vend”, tha dekani i Shkencave Sociale, Dhori Karaj.
Nga ana e tyre, përfaqësues të qeverisë studentore deklaruan se “është bërë i pamundur zhvillimi i orëve të mësimit brenda mureve të këtij fakulteti, pasi të gjithë studentët, të tmerruar edhe nga ngjarja e fundit që ndodhi në qytetin e Gjirokastrës, presin nga momenti në moment se mos u bie tavani në kokë”. Ata pretendojnë se shkak për këtë situatë është bërë mosrespektimi i parametrave inxhinierikë në realizimin e shtesës së fakultetit të Shkencave Sociale, e cila është ngritur pranë godinës së atij të Drejtësisë. Gjithashtu, studentët mendojnë se plasaritjet mund të jenë provokuar edhe nga ndërtimi i disa pallateve pas godinës së fakultetit.
Studentët e fakultetit të Drejtësisë zhvilluan edhe javën e kaluar një protestë, ku kërkuan marrjen sa më shpejt të masave për rregullimin e këtij problemi, i cili mund të shkaktojë një tragjedi me përmasa të mëdha. Disa burime pranë fakultetit të Drejtësisë sqaruan për “Korrierin”, se “ky problem vazhdon të jetë prezent që prej dy vjetësh, megjithatë, deri tani nuk dihet asgjë për shkallën e rrezikshmërisë që paraqesin këto plasaritje, pasi askush nuk ka ardhur akoma për të bërë një verifikim të tyre”. Vetë studentët u shprehën të shqetësuar, se “plasaritja e mureve në katin e parë të fakultetit të Drejtësisë është bërë problem nga ana jonë edhe një vit më parë, por askush nuk e vuri ujin në zjarr”. Sipas burimeve, kjo çështje është paraqitur në prokurori nga ana e krerëve të këtij fakulteti dhe këta të fundit janë shprehur se do të dërgojnë një grup specialistësh, të cilët pasi të kenë bërë një kontroll të situatës, do të nxjerrin përfundimet e duhura mbi shkallën e rrezikut që paraqesin këto plasaritje. “Megjithatë, deri tani nuk është bërë asgjë dhe ne rrezikojmë të mbesim pa mësim edhe në ditët në vijim, pasi gjendja e mureve në auditorët e fakultetit është mjaft kritike dhe studentët ndihen të pasigurt brenda tyre”, u shprehën studentët e fakultetit të Drejtësisë.