E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Ndarja e Kosovës, rajoni në rrezik

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, tha mbrëmë se Shqipëria i sheh të rrezikshme për rajonin dhe për vetë Kosovën idetë për ndarjen e shtetit të ri. Ministri i bëri komentet duke iu referuar zhvillimeve që lidhen me tërësinë territoriale të Kosovës, që është nxitur nga frika e një ndarjeje faktike në terren mbi baza etnike. Ministri Basha tha se kjo nuk ka shanse të ndodhë dhe se Tirana është e qartë në mbështetjen e saj për Kosovën, në bashkërendim me Uashingtonin dhe me Brukselin. Basha tha gjithashtu, se Tirana do të vazhdojë të mbështesë planin e presidentit Marti Ahtisari për Kosovën, pavarësinë e shtetit të pavarur që prej 17 shkurtit të këtij viti, si dhe shtrirjen e misionit të Bashkimit Evropian, EULEX, në të gjithë territorin e republikës së re.

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Zoti ministër, kemi prej disa ditësh një diskutim të rëndësishëm mbi disa çështje që janë përfshirë në planin prej 6 pikash të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, mbi shtrirjen e misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës. Autoritetet në Prishtinë e hodhën poshtë planin dhe thanë se ai cënonte integritetin e shtetit të ri. Çfarë mendon Tirana?

-Lulzim Basha: “Mund t’ju them së pari, se Tirana qëndron dhe do të jetë gjithmonë në krah të Prishtinës. Ne do të mbështesim pa rezerva dhe pa mëdyshje fuqimisht, në mënyrën më të plotë të imagjinueshme autoritetet e Prishtinës, si të vetmit autoritete legjitime për vendime të tilla, për këtë proces apo për proces tjetër që ka të bëjë me zbatimin tërësor të paketës “Ahtisari” në të gjithë territorin e Kosovës. Në këtë kuadër, ne mbështesim plotësisht vullnetin e shprehur vazhdimisht nga autoritetet më të larta të Prishtinës, për t’u angazhuar në dialog konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare dhe mbështesim vullnetin e tyre gjithashtu të shprehur gjerësisht për vendosjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Vendosja e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës, ashtu sikurse parashihet nga plani “Ahtisari”, është shumë i rëndësishëm për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. Dhe, po kështu, respektimi pa asnjë mëdyshje dhe pa asnjë ndryshim i paketës “Ahtisari” është me rëndësi vendimtare për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, si dhe për sigurinë e stabilitetin në të gjithë rajonin tonë.

Edhe njëherë dëshiroj të theksoj, se ne mbështesim pa asnjë rezervë, kemi qenë jemi dhe do të jemi gjithmonë në mbështetje të plotë e parezerva të Prishtinës zyrtare, të autoriteteve të Prishtinës, të cilat janë të vetmet autoritetet legjitime për të biseduar dhe për të vendosur mbi fatet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”.

-Megjithatë, zoti ministër, duhet të themi se prej disa ditësh Tirana përgjithësisht ka qenë e kujdesshme në trajtimin dhe në dhënien e deklaratave mbi këtë çështje. Si ta kuptojmë këtë periudhë?

-“Unë mund t’ju them se gjatë gjithë kësaj periudhe, Tirana ka mbajtur kontakte të përditshme dhe intensive me Prishtinën, Uashingtonin dhe me Brukselin, dhe kjo do të vazhdojë gjatë gjithë kohës. Mund t’ju them se në këto kontakte ne kemi pasur një mirëkuptim të plotë. Deklaratat publike janë diçka tjetër dhe qëndrimet zyrtare janë diçka tjetër. Qëndrimi ynë zyrtar është i qartë, i prerë dhe i pandryshueshëm: ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi në krah të Prishtinës zyrtare”.

-Zoti Basha, ju keni mbajtur kontakte me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Gjatë ditëve të para të negociatave me vendet e “Quint”-it në Prishtinë, çfarë keni vërejtur në qëndrimet e tyre?

-“Nuk më takon mua të komentoj mbi këto, sepse këto janë çështje që i takojnë tërësisht Prishtinës zyrtare. Ajo që unë dua të theksoj edhe njëherë dhe ta theksoj në mënyrën më të fortë të mundshme, është se ne mbështesim dhe do të vazhdojmë të mbështesim autoritetet e Prishtinës në vendimet që ata marrin”.

-A besoni, zoti ministër, se frika që mund të ketë qenë e pranishme këto ditë ndaj planit prej 6 pikash të Ban Ki Munit, që lidhet me ndonjë drejtim të ndarjes së Kosovës, ndoshta jo fizike, por së paku faktike në terren?

-“Shqipëria është e bindur se paraqitja e planeve për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, angazhimi për ndërtimin e strukturave paralele që cënojnë tërësinë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në të tërë rajonin tonë. Në këtë kuadër, më mbetet të përsëris edhe njëherë mbështetjen tonë të plotë për gjakftohtësinë dhe vendosmërinë dhe maturinë, me të cilën autoritetet e Prishtinës po e trajtojnë këtë çështje dhe çështje të tjera, si dhe për mbështetjen e vendosjes së EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›