E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet naftë, 11.9 bilionë dollarë për Shqipërinë

Në veri të Shqipërisë janë zbuluar rezerva të mëdha nafte dhe gazi, që në vlerë përllogariten përkatësisht në 11.9 bilionë dollarë dhe 6.1 bilionë dollarë. Rezervat e gjetura natyrore të naftës arrijnë në rreth 2.987 bilionë fuçi

Rezerva të reja dhe të paprekura me hidrokarbur janë zbuluar në veri të Shqipërisë, raporton kompania “Manas”. Raporti është bërë publik nga “Gustavson Associates LLC”, agjenci për llogari të kompanisë “Manas”, e cila pas nënshkrimit të kontratës me qeverinë shqiptare fitoi të drejtën e eksplorimit për naftë dhe gaz në zonën veriore të vendit. Sipas rezultateve të gjetjes, rezerva e naftës në zonën ku janë bërë kërkimet mund të jetë edhe më e madhe se 2.987 bilionë fuçi. Por shifrat duket se janë mbresëlënëse edhe për sa u përket rezultateve të gjetjes së gazit, pasi në raport thuhet se në të njëjtën zonë janë zbuluar edhe 3.014 trilionë metra kub gaz natyral. Por e përkthyer në shifra rezultative, pra në shifra që tregojnë sasi direkte të konsumueshme, rezulton se sasia e gjetur e naftës është 1.4 bilionë fuçi, ndërsa gaz natyral i pastër mund të ketë vetëm 15 trilionë metra kub. Sipas një kalkulimi final ekonomik të “Gustavson”, ka rezultuar se vlera monetare e pasurive natyrore në fjalë arrin në rreth 11.9 bilionë dollarë për naftën, 6.3 bilionë dollarë për naftën me përmbajtje gazi dhe 6.1 bilionë dollarë vetëm për gazin. Vlera totale e shpenzimeve për kërkimet është përllogaritur në rreth 67 milionë dollarë.

Ballkani dhe Shqipëria

Rajoni i Ballkanit deri tani rezulton të ketë rezerva nafte në një numër mestar fuçish që arrin deri në 345 milionë. Vetëm në Shqipëri ndodhen 198 milionë fuçi nga numri i përgjithshëm i rezervave në Ballkan. Për sa u përket rezervave të gazit në Ballkan, ato përllogariten në afro 2.7 trilionë metra kub.

Kontrata

Sipas licencës që qeveria i ka dhënë kompanisë “Manas Petroleum Corporation”, kjo e fundit ka të drejtën e kërkimit të naftës dhe gazit në një sipërfaqe prej rreth 780 mijë metrash katrorë, të përcaktuara përgjatë zonës verilindore të Shqipërisë. Kompania luan rol të rëndësishëm në zbulimet e naftës dhe gazit në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 2007, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ra dakord me “DWM Petroleum AG”, përfaqësues e “Manas”, për të asistuar në kërkimet, zbulimin dhe prodhimin e lëndëve hidrokarbure të Shqipërisë në bashkëpunim me Agjencinë e Burimeve Natyrore.

Kërkuesit e tjerë

Janë të shumta kompanitë që kanë kërkuar naftë në vendin tonë, edhe pse rezultatet kanë lënë shumë për të dëshiruar. Rreth dy javë më parë, Ministria e Ekonomisë nënshkroi kontratën me një tjetër kompani kërkimi nafte, e cila vetëm në fazën e parë të kërkimit për periudhën 7-vjeçare do të shpenzonte afro 25 milionë dollarë. Por eksperienca tregon se kompani të ndryshme hedhin miliona dollarë në Shqipëri dhe më pas rezultojnë të pasuksesshme. Kujtojmë këtu rastin e kompanisë “OMW Albania”, e cila ka shpenzuar 120 milionë dollarë në 15 vite në kërkim të naftës, pa gjetur asgjë. Natyrshëm lind pyetja se çfarë i shtyn kompanitë që zgjedhin pikërisht Shqipërinë për të eksploruar?


Nxjerrja e naftës në sipërfaqe

“Probabiliteti i nxjerrjes së naftës në sipërfaqe është relativisht i lartë, duke u nisur këtu nga fakti se burimi hidrokarbur ndodhet vetëm 20 deri 30 kilometra nën sipërfaqe”, thuhet në raportin e Gustavson. Aktualisht “Manas” po analizon gjetjet dhe do të bëjë shumë shpejt publikime lidhur me hapat e tjerë që do të ndërmerren për të konkretizuar nxjerrjen e naftës në sipërfaqe.

Çmimi i naftës, kolaps në bursa

Edhe pas marrjes së vendimeve nga vendet e OPEC-ut për ndërprerje të prodhimit të naftës, bursat duken ende në krizë lidhur me këtë produkt. Kjo nisur nga fakti se ndryshe nga parashikimet, çmimi ka vazhduar të bjerë edhe gjatë ditës së djeshme. Kështu, një fuçi naftë ka arritur të shitet dje me rreth 54 dollarë, ndërsa një ditë më parë çmimi ishte plot 57 dollarë për fuçi. Edhe pas uljes së prodhimit, kërkesa duket se vjen në rënie, çka detyron tregjet botërore ta shesin naftën me një çmim qesharak, i cili duket se po arrin koston. Sipas një vëzhgimi të “Financial Times” lidhur me ecurinë e Bursës së Londrës për hidrokarburet, brenda 52 javëve të fundit, çmimi i naftës ka rënë me rreth 42 për qind, nivel ky i konsiderueshëm për sa i përket një tregu kaq të madh dhe të ndjeshëm për xhepat e konsumatorëve. Por edhe pas rënies së vazhdueshme të çmimit të naftës në bursa, ekspertët financiarë argumentojnë se kjo nuk do të zgjasë shumë, ndërsa pritet që edhe brenda kësaj jave të ketë një rritje çmimi në nivele të konsiderueshme, çka mund të bëjë që një fuçi të shitet deri në 60 dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›