E Shtunë, 31 Tetor 2026

3.3 mln euro për trajnimin e 12 pilotëve

Ministri i Mbrojtjes Imami, duke përshëndetur nënshkrimin e kësaj kontrate theksoi se, ne jemi shumë të lumtur që nënshkruajmë një marrëveshje me kompaninë britanike FB Heliservices Limited, e cila është shumë e njohur.

Gjithashtu jemi shumë të lumtur që gjatë këtyre 2 viteve ne kemi forcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Mbretërisë së Bashkuar. Mbreteria e Bashkuar, ka vijuar më tej z. Imami, ka qenë dhe mbetet një nga partnerët tanë kryesor gjatë periudhës sonë të tranzicionit dhe përpjekjeve për anëtarësim në NATO. Kjo kontratë tregon frymën e lartë të bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ajo është një shenjë e mirë për të dyja palët dhe që do t’i shërbejë Forcave tona Ajrore, sepse tashmë ato janë pjesë e Forcave Ajrore të NATO-s. “Ne kemi objektivat tona për të ardhmen dhe këta helikopterë do të rrisin aftësitë tona ushtarake të Forcave Ajrore, si forcë ajrore e NATO-s, e aftë dhe e ndërveprueshme”, ka përfunduar Imami. 

Ndërsa drejtori ekzekutiv i kompanisë FB Heliservices Limited, z. James Goodbourn u shpreh se edhe “ne jemi shumë të lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë. Kompania jonë ka një eksperiencë të gjerë në këtë fushë dhe është nder për ne që ta ndajmë këtë eksperiencë me ju. Kjo është kontrata e parë qe ne kemi me ju dhe përsëri ju themi që jemi shumë të nderuar që të ndajmë eksperienca të përbashkëta.”

Kontrata për trajnimin e pilotëve të helikopterëve të Forcave tona Ajrore në Angli ka si qëllim trajnimin e 12 pilotëve dhe 4 operatoreve për operacionet SAR (Search and Rescue). Ajo kap një vlerë prej 3.300.000 Euro dhe është e shtrirë në tre vite buxhetore, 2012-2014. Tajnimi i pilotëve në shkollën britanike konsiderohet një sukses pasi fillojmë bashkëpunimin me një shkollë të mirënjohur dhe me përvojë në fushën e trajnimit të pilotëve. Kjo kontratë do të ndikojë jo vetëm në rritjen e operacionalitetit në nivel kombëtar, por do të jetë edhe një investim drejt realizimit të objektivave të Forcës në kuadër të NATO-s. Forcat tona të Armatosura në të ardhmen do të jenë përkrah Aleancës në operacione të ndryshme, jo vetëm me pjesëmarrjen e trupave në luftim, por edhe të helikopterëve shumërolësh. /Start/

                                                                                             2012-06-20 16:10
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›