Cilësia e karburanteve, rinisin aksionet dhe gjobat në pikat e tregtimit
Ervin KOÇI
Cilësia dhe tregtimi i karburanteve me pakicë është vënë sërish në qendër të kontrolleve të inspektorëve të Inspektoratit Qendror Teknik. Këta të fundit kanë filluar aksionet në pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet dhe në rrethe, ku në qendër të kontrolleve ka qenë kryesisht cilësia e hidrokarbureve. Këto aksione kanë filluar menjëherë pas zëvendësimit të kreut të Inspektoratit Qendror Teknik nga ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili disa ditë më parë akuzoi këtë inspektorat për neglizhencën e treguar ndaj subjekteve të ndryshme që abuzonin me cilësinë e karburanteve. Sipas kreut të METE-s, nga ana e Inspektoratit nuk janë vjelë miliona lekë gjoba ndaj subjekteve, në një kohë që cilësia e hidrokarbureve lë akoma për të dëshiruar. Nisur nga kjo, kontrollet e sapunisura flasin për një insistim nga e inspektorëve ndaj subjekteve, ku për verifikimin e cilësisë janë marrë dhe mostra të ndryshme për tu analizuar në laborator.
Cilësia
Përveç rezervave të shprehura disa ditë më parë nga vet Ministri i Ekonomisë, Prifti, lidhur me cilësinë e hidrokarbureve në tregun vendas të pakicës, ankesa të shumta janë shprehur nga qytetarët. Ankesat e individëve dhe bizneseve nuk lidhen vetëm me çmimin e karburanteve, por edhe me cilësinë e cila lë për të dëshiruar dhe kuptohet qartë kur bëhen shërbimet e automjeteve. Lidhur me këto shqetësime edhe Konfindustria ka përsëritur kërkesën e saj, që ekzekutivi të marrë masa për të vënë në punë sa më shpejt Inspektoratin Qendror të Cilësisë, për të luftuar realisht abuzimin e vazhdueshëm me cilësinë e karburanteve si "mënyrën kryesore të abuzimit në tregun e karburanteve me kosto të pallogaritshme prej qindra milionë eurosh për ekonominë kombëtare, biznesin dhe qytetarët shqiptarë".
Kostoja e abuzimit
Janë të paktën 150 milionë euro që u vidhen çdo vit shqiptarëve si rezultat i abuzimit të tregtarëve të pakicës të karburanteve në vend. Në këtë përfundim ka dalë Konfindustria gjatë një analize të kostove shtesë, të cilat u faturohen konsumatorëve, bizneseve dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi, nga cilësia, sasia dhe çmimi i karburanteve në vend. Konsumatorët janë edhe më të dëmtuarit, pasi mbi ta bie 3-fish pesha e abuzimit me karburantet. Konfindustria ka përllogaritur se mbi konsumatorin rëndojnë edhe kosto shtesë, të tilla si dëmtimi i shëndetit, i automjeteve, ndotja mjedisore etj. Kjo shoqatë vazhdon të këmbëngulë në idenë e ngritjes së një enti që do të vinte në binarët e duhur tregun e karburanteve. Por, sipas Konfindustrisë, “shteti vijon të tregohet indiferent, duke mos marrë asnjë masë”. Në lidhje me këtë çështje edhe Autoriteti i Konkurrencës ka ndërmarrë një hetim, por që më shumë se cilësinë gjatë tregtimit me pakicë, ky institucion është marrë me pozitat “monopol” që zënë në tregun vendas disa kompani të tregtimit të hidrokarbureve.
Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë ankohet për rënie të aktivitetit me 25 për qind
Mungesa e lejeve të ndërtimit e ka zhytur sektorin e kësaj industrie më thellë në krizë, ku vetëm në Tiranë shënohet një rritje me 25 për qind. Niveli i ndërtimeve vlerësohet shumë problematik, sidomos në zonën e kryeqytetit, ku lufta për leje është bërë e ashpër. Shoqata e Ndërtuesve Shqiptarë përsëriti dje nevojën e zhbllokimit të situatës, pasi efektet negative mund të shtrihen edhe më shumë. Duke marrë shkak edhe nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, i cili prej disa javësh nuk po mundet të miratojë planin rregullues të Tiranës, ndërtuesit kërkojnë krijimin e një kuadri të qartë zhvillimi për të ardhmen në tregun e banesave, sidomos për kryeqytetin. Ndërtuesit shprehen se ndryshimi i situatës do të krijojë mundësinë e uljes së çmimeve për apartamente, të cilat aktualisht kanë kapur majat. Ecuria në sektorin e ndërtimit ndikon direkt në buxhetin e shtetit, për pasojë zhvillimi është në avantazh edhe të vet qeverisë. "Mjafton të kujtojmë se ndërtimi, në vitet e kaluara ka paguar rreth 31 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-së) së mbledhur dhe rreth 29 për qind të Tatimit mbi Fitimin të totalit në buxhet", shprehet drejtorit ekzekutiv i shoqatës, Maksim Muçi. Problemet në sektorin e ndërtimit vijojnë të mbeten edhe te taksat. Prej dy vjetësh, ndërtuesit ankohen për sistemin referencë të ngritur nga qeveria, e cila ka ndikuar te rritja e kostos, e për rrjedhojë edhe te çmimet në shitjen e apartamenteve. Viti 2008 do të mbahet mend gjatë për sektorin, pasi e pa veten në krizë të plotë, duke mos mundur të shesë 4000 apartamente. Sektori i ndërtimit në Shqipëri qarkullon rreth 1.5 miliardë euro në vit, duke qenë përgjegjës për rreth 70 mijë të punësuar.
28 Tetor 2009