36 % e shqiptarëve presin siguri kombëtare nga NATO-ja
Në një anketë të zhvilluar gjatë kohëve të fundit në faqen zyrtare të agjencisë së lajmeve “Dojçe Velle”, në internet, pyetjes se çfarë presin nga afrimi i Shqipërisë në NATO, 35.8 për qind e të anketuarëve i kanë dhënë përgjigjen: “Më shumë siguri kombëtare, pra mbrojtje më të mirë të vendit.” Në këtë anketim, deri tani kanë marrë pjesë 3172 persona. Pjesa tjetër e të anketuarëve i janë përgjigjur po të njëjtës pyetje duke pohuar se presin rritjen e mirëqenies. Ata që e mendojnë kështu, janë 33.8 për qind. Ndërsa 20.7 për qind të tjerë, mendojnë se hyrja në NATO do të jetë e vlefshme për aleanca të reja me vende të tjera, ndërkohë që 10.2 për qind nuk kanë asnjë mendim se çfarë do të përfitojë Shqipëria dhe shqiptarët nga hyrja në NATO.
Japonia dhe BE-ja, të shqetësuara për ngritjen e çmimit të ushqimeve
Japonia dhe BE-ja janë të shqetësuara për shkak të ngritjes së çmimeve të ushqimeve. Kryeministri Yasuo Fukuda deklaroi pas një takimi me përfaqëseusit e BE, ndër të cilët ishte edhe komisioneri José Manuel Barroso, se kjo do të jetë një prej temave edhe në samitin e G- tetës në Tokio. Komisioni europian ka kumtuar të martën se do të ofrojë edhe 117 milionë euro ndihmash të reja për ushqime. Paratë do të shpenzohen për programin botëror të ushqimit, në radhë të parë për Afrikën dhe Azinë. Komisioni paralajmëroi se në botë nga uria kërcënohen aktualisht rreth 100 milionë njerëz.
Arrestohet “spiuni” amerikan. U dha izraelitëve informacione mbi arsenalin atomik
Autoritetet amerikane kanë arrestuar një ish ushtarak me akuzën për spiunim në favor të Izraelit. Inxhinjeri akuzohet se në vitet 80-ta, i ka dhënë qeverisë izraelite sekrete nga arsenali i armëve atomike amerikane. Prokuroria në Nju Jork kumtoi se 85-vjeçari ka punuar më parë në një bazë ushtarake në Nje Xhersi. Izraeli ka hedhur poshtë çdo lloj përzierje në këtë aferë.
24 Prill 2008