E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatorja Klinton feston fitoren në Pensilvani



Senatorja kryeson me 54 për qind të votave ndaj rivalit të saj demokrat
Kandidatja demokrate për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillari Klinton, ka fituar zgjedhjet paraprake në shtetin amerikan të Pensilvanisë edhe pse është ende mbrapa numrit të delegatëve përsa i përket rivalit të saj Barak Obama. Pas numërimit të më shumë se 50 për qind të votave, Klinton kryeson me 54 për qind ndaj 46 për qind ndaj rivalit të saj Obama. Ish-zonja e parë festoi fitoren me mbështetësit e saj. “Rrjedha ndryshoi. Ka nga ata që më duan jashtë, por unë nuk heq dorë”, - është shprehur senatorja e Nju Jorkut. Pas zgjedhjeve, kandidatja demokrate Klinton iu drejtua përkrahësve të saj në Filadelfia, duke i falënderuar ata për mbështetjen e tyre. Ajo u zotua gjithashtu se do të vazhdonte fushatën me gjithë thirrjet për tërheqjen e saj nga gara. “Unë mund të pengohem, madje edhe të rrëzohem, por për sa kohë që kam mbështetjen tuaj, unë gjithnjë do të ngrihem. Sepse për mua, në fund të fundit, çështja nuk është nëse ne mund të mbajmë premtimin e Amerikës, por nëse ne do ta mbajmë premtimin e Amerikës”. Senatorja e Nju Jorkut tha se falë mbështetjes së Pensilvanisë për të, gjërat po ndryshojnë. Me gjithë fitoren në Pensilvani të pasur me delegatë, Klinton vazhdon të jetë mbrapa rivalit të saj, Obama për sa i përket numrit të delegatëve, të cilët do të emërojnë kandidatin e partisë. Pensilvania ka 158 delegatë, të cilët do të ndahen mes dy kandidatëve demokratë në bazë të numrit të votave të fituara.
Duke folur në shtetin tjetër amerikane Indiana, ku zgjedhjet paraprake zhvillohen më 6 maj, senatori Obama uroi zonjën Klinton për fitoren dhe u tha të pranishmëve se ajo zhvilloi një garë të shkëlqyer në Pensilvani. Tradicionalisht, Pensilvania i mban zgjedhjet paraprake vonë dhe për vite me radhë kandidati i secilës parti dihet deri në atë kohë. Megjithatë zyrtarët e zgjedhjeve janë shprehur se ky vit ndryshon. Dy kandidatët demokratë vazhdojnë betejën për të siguruar emërimin e partisë, numri i votuesve të regjistruar është shumë i lartë dhe pjesëmarrja pritej të ishte e lartë. Në periferi të qytetit të Pitsburgut një nga zyrtarët e zgjedhjeve ka përshkruar atmosferën. “Nuk kam parë një entuziazëm të tillë që kur fillova të votoj për Xhek Kenedin”. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e njëjtë në të gjithë shtetin, me një rritje në orët e fundit para mbylljes së qendrave të votimit. Votuesit e dini fare mirë se këtë vit vota e tyre ishte shumë e rëndësishme. Zgjedhje paraprake në Pensilvani po zhvillojnë edhe kandidatët republikanë. Edhe pse në radhët e kësaj partie kandidati është senatori Xhon Mekein, njëri nga anëtarët e partisë republikane tha se në fletën e tij të votimit shkroi emrin e Barak Obamës edhe pse kjo votë e tij është e pavlefshme. “Desha që zëri im të dëgjohej. Unë desha të përfaqësoja senatorin Obama. Dhe kjo ishte arsyeja që erdha këtu”,-u shpreh ai. Votuesit e rinj në këtë shtet përbëjnë bazën e mbështetjes për Barak Obamën duke mbështetur kështu mesazhin e tij për ndryshime. Por votues më të moshuar janë të interesuar të mbështesin përvojën e kandidatit dhe për këtë arsye ata mbështesin fuqimisht senatoren Hillari Klinton. Votuesit në Pensilvani e dinin se rezultati në shtetin e tyre ishte historik dhe për herë të parë partia e madhe demokrate pret të emërojë kandidat për president një grua ose një afrikao-amerikan.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›