E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, BDI dhe PDSH, akuza të ndërsjella për akte dhune



Një bombë ka shpërthyer pranë shtëpisë të një zyrtari të lartë të BDI-së në Maqedoni, kurse dega e PDSH-së është djegur në një fshat të komunës së Likovës. Bomba që shpërtheu pranë shtëpisë së Talat Xhaferit, ish-zëvendës Ministër i Mbrojtjes ka dëmtuar makinën dhe dritaret e shtëpisë së tij. Xhaferi në mënyrë direkte ka akuzuar partinë rivale PDSH, se qëndron prapa sulmit, për të cilin thotë se është i motivuar politikisht. “I them Menduh Thaçit që unë, familja ime porosinë e kemi marrë. Porosinë e pranojmë”,- tha Talat Xhaferi i cili shtoi se sulmi nuk do të ndikojë që ai të tërhiqet nga veprimet e tij politike. Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, në fshatin Orizare, jo larg Kumanovës, i është vënë zjarri dhe është dëmtuar zyra e degës të PDSH-së. Kryetari i kësaj dege, Naser Dauti, akuzoi BDI-në se qëndronte pas këtij akti. “Ky është një akt qyqar i kundërshtarit, i aktivistëve të BDI-së”,- tha Naser Dauti. Subjektet politike edhe pse janë përfshirë në akuza dhe kundërakuza, janë distancuar nga këto akte duke i dënuar ato. Të njëjtën gjë ka bërë edhe qeveria e cila nëpërmjet zëdhënësit të saj, Ivica Bocevski, tha se do të ndërmerren masa ndaj atyre që dëmtojnë procesin zgjedhor. Policia ka njoftuar se rastet janë duke u hetuar dhe nuk ka njoftime se kush qëndron prapa tyre. Fushata për zgjedhjet e parakohshme të një qershorit në Maqedoni pritet të përshkohet nga tensione të larta.

Republika e Naurusë njeh Kosovën e pavarur

Misioni i Përhershëm i Republikës së Naurusë në Kombet e Bashkuara ka njohur gjatë ditës së djeshme Kosovën shtet të pavarur. Ky vend që shtrihet në perëndim të Oqeanit Paqësor dhe është anëtar i OKB-së, ka vendosur gjithashtu që të vendosë marrëdhënie diplomatike me shtetin e ri. Nëpërmjet një letre drejtuar Presidentit Fatmir Sejdiu, theksohet se Misioni i Përhershëm i këtij shteti në Kombet e Bashkuara “shpreh komplimentet e tij për Qeverinë e Kosovës duke iu referuar korrespondencës së Fatmir Sejdiut, President i Republikës së Kosovës, të datës 17 shkurt 2008, adresuar Kieren Keke, Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Naurusë lidhur me propozimin për të njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Kosovë-Serbi, zhvillohet takimi për të pagjeturit

Grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur kanë zhvilluar dje takimin e radhës në Beograd. Ky takim është në vazhdën e takimeve që mbajtën këto komisione pak kohë më parë në Prishtinë. Pala kosovare u përfaqësua nga Pajazit Nushi. Bëhet fjalë për rreth 2000 persona qe ende nuk janë gjetur që pas luftës së viteve 98-99. Këto bisedime u ndërmjetësuan nga kryqi i kuq ndërkombëtar. Në Kosovë, familjarët e të pagjeturve ankohen se as qeveria e tyre dhe as komuniteti ndërkombëtar nuk po bën punë të mjaftueshme për të gjetur të zhdukurit. Ky është një ndër problemet e mbetura ende pa zgjedhje që pas luftës së Kosovës.
Është Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ai qe ndërmjetëson bisedimet për personat e pagjetur që nga lufta e viteve 1998 – 1999 në Kosovë.

Ndihmat ruse për serbët e Kosovës, të skaduara

Pas arritjes së ndihmave për serbët e Kosovës nga Rusia janë rritur dyshimet se këto ndihma janë të skaduara. Edhe pse i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë të autoriteteve të Doganave të Kosovës dyshohet se këto mallra paraqesin rrezik serioz për shëndetin nëse konsumohen. Në kamionët ku ishin ngarkuar 140 tonë artikuj të ndryshëm kishte edhe barna dhe ishte parashikuar që shpërndarja e tyre do të bëhej nga Kryqi i Kuq i Serbisë..
Megjithatë kontrolli i parë i këtyre ndihmave tregon se presidenti rus Vladimir Putin nuk kishte ndarë një buxhet të veçantë për serbët e Kosovës, por ndihmat për ta i ka marrë nga rezervat e shtetit të Rusisë. Gjatë kontrollimit doganierët kanë vërejtur se afati i konservave të peshkut dhe mishit ka skaduar dhe kjo shihej qartë se këto konserva ishin prodhuar në vitin 2005 me afat konsumimi vetëm dy vjet. Përfaqësuesi i Kryqit të Kuq serb në Graçanicë ka konfirmuar se të gjitha ndihmat ruse do t’u shpërndahen familjeve serbe në kushte të rënda jetese.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›