E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësi i Rexhep Ferrit, ekspozitë në Galerinë Agora në Nju Jork



Nga Nju Jorku, Beqir SINA
Në metropolin e botës, qytetin e famshëm të 12 milionë banorëve, Nju Jork, galeria “Agora Gallery”, kohët e fundit ka pritur ekspozitën “Shikoje botën nëpërmjet Artit Kontemporan”, e cila do të vazhdojë të qëndrojë e çelur deri më datën 8 maj ’08. Organizatorët shprehen se janë të lumtur që kanë mundësuar realizimin e një ekspozite të tille, ku marrin pjesë një grup piktorësh të talentuar nga e gjithë bota. Madje, janë 30 piktorë të cilët marrin pjesë në këtë ekspozitë kolektive duke ekspozuar punët e tyre në gjashtë sallonet e galerisë “Agora”. Në njërin prej këtyre salloneve ekspozon për herë të parë, edhe një piktor i talentuar shqiptar. E kemi fjalën për Agron Bytyçin nga Prishtina. Agroni tregon se nëpërmjet uebsajtit të tij në internet, një nga asistentët e kësaj galerie, z.Robert Broks, e ka kontaktuar artistin duke i shprehur vlerësimin për punët e tija dhe duke e ftuar që të marrë pjesë në këtë ekspozitë, bashkë me një sërë artistësh të përzgjedhur nga e gjithë bota. Kriteret e ndjekura prej kësaj galerie për pranimin e pjesëmarrësve janë shumë të forta dhe shihen nga një grup kritikësh e ekspertësh, të cilët nxjerrin dhe përfundimet. Duhet të jesh piktor i talentuar me vlera të mirëfillta artistike që të mund të marrësh pjesë në ekspozitat e organizuara nga galeria njujorkeze “Agora”. Çdo pjesmarrës ka paraqitur deri në 70 punime, nga të cilat vetëm 10 deri më 15 prej tyre janë përzgjedhur më tej për të qenë pjesë e ekspozitës “Shikoje botën nëpërmjet Artit Kontemporan”. Galeria gjendet në një mjedis ku janë të hapura me dhjetra galeri të tjera me emër në Nju Jork e më gjerë. Kjo galeri bën hapjen e disa ekspozitave me piktorë të ndryshëm nga e gjithë bota.
Galeria Agora, e themeluar në vitin 1984, ka manaxhere një artiste italiane, Anxhela Dibela. Në këtë galeri kanë ekspozuar punimet e tyre edhe piktorë të njohur në botë. Galeria Agora ka një sipërfaqe madhështore dhe ndahet në disa sallone. Me një ndriçim dhe ngjyrim tepër profesional çdo piktor ka një sallon.
Pikturat ekspozohen e manaxhohen edhe nëpërmjet faqeve të internetit, për t’u tregëtuar(blerë) më pas nga vizitorët dhe klientët e ndryshëm që janë të interesuar për artet vizuale. Punët e piktorit kosovar Agron Bytyçi kanë një vlerë për çdo luhat nga 4 mijë – 8 mijë dollarë secila. Pikturat janë të përmasave 70 x 50cm - më e vogla dhe 200 x 150cm - më e madhja. Kjo është ekspozita e pestë e këtij piktori dhe e para për të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bytyçi u lind më vitin 1974 në Kravasari të Malishevës. Мë 1996-n ai u diplomua në FAF Prishtinë, në klasën e prof. Rexhep Ferrit, ndërsa më vonë në vitin 2000, magjistroi po me të njëjtin profesor. Manaxherja Anxhela Dibela e konsideron me vlera të larta artistike veprën e piktorit kosovar. Ajo thotë se ky artist dallon shumë nga piktura eksperisive e piktorëve kosovarë, duke e ngjizur surealen në telajo me një mjeshtëri të rallë. Një punë të mirë, sipas saj, Agron Bytyçi e ka bërë me përkushtimin e treguar dhe talentin e tij që spikat. Te pikturat e tij duket qartë frymëzimi dhe simbolika, ndërthurrur me tematikën e ngjeshur, të pandashme nga ngjarjet që piktori ka përjetuar këto vite në Kosovë. Piktura e Bytyçit është e dyjëzuar në të dyja anët, si në atë tematike ashtu edhe në anën artistike. “Këto dy pika kryesore, te ky piktor, takohen në formën piramidale në pikturën e tij. Dhe perderisa takohen nga shprehja sureale që ka piktori, ato kanë vlera të pakontestueshme. Bytyçi, dallohet në pikturën vaj në pëlhurë, për arsye se kjo teknikë është më jetëgjata dhe e përpunuar në mënyrën më klasike nga dora dhe peneli i këtij piktori. Tema dhe mënyra janë surealja me përkushtim e zgjuarsi prej fillimit deri në fund.” - përfundon manaxherja e Galerisë Agora në Nju Jork Anxhela Dibela.

24 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›