E Diel, 1 Nëntor 2026

36 orë të përgjakshme, 15 viktima nga aksidentet



Edhe mbrëmja e së dielës dhe dita e hënë kanë regjistruar një bilanc të përgjakshëm në rrugët e vendit tonë, duke regjistruar një total prej 15 viktimash. Burimet zyrtare të policisë së shtetit raportuan për të paktën 2 të vdekur dhe 13 të plagosur në aksidentet automobilistike të ndodhura në Tiranë, Vlorë, Durrës, Mamurras dhe Elbasan. Kjo shifër i bashkëngjitet shifrave alarmante të regjistruara ditën e shtunë dhe të dielë, ku gjetën vdekjen 3 persona, dhe u plagosën 14 të tjerë. Ngjarja më e rëndë ndodhi në Vlorë, ku si pasojë e një përplasje mes dy automjeteve gjeti vdekjen një 37-vjeçar. Brenda pak orësh ndodhën edhe dy aksidente në Elbasan, me një bilanc prej 4 të plagosurish. Po aq u plagosën edhe në Tiranë mbrëmjen e dy ditëve më parë, ndërsa një shtetase përplasi për vdekje një të moshuar në aksin Durrës-Kavajë.
Përplasja e Vlorës
Burimet zyrtare të policisë së Vlorës raportojnë për të paktën 1 të vdekur dhe 2 të plagosur në dy aksidente që ndodhen gjatë paradites së hënë në aksin rrugor Vlorë-Fier. Në vendin e quajtur “Kripa”, një automjet i tipit “Hundai” është përplasur me një tjetër automjet të tipit “Fiat Fiorino”, duke shkaktuar plagë të rënda për drejtuesin e Hundait me ngjyrë të bardhë, Gert Mustafaraj 37 vjeç, i cili nuk ka mundur të mbijetojë edhe pse është dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës. Viktima Gert Mustafaraj po udhëtonte me Hundain me targa Vlore 3124 C, dhe si shkak i shpejtësisë së madhe është përplasur me automjetin tip Fiat Fiorino, me targa italiane BV133 XR, i drejtuar nga shtetasi Haxhi Mesalla, me banim në Rrogozhinë. 40-vjeçari Mesalla ka marrë vetëm dëmtime të lehta. Burimet nga Policia saktësojnë se shkak i këtij aksidenti të rëndë është bërë shpejtësia e të dyja automjeteve. Ndërkohë në të njëjtin aks rrugor një automjet cisternë i cili transportonte Solar, me targa Fieri, ka dalë jashtë rruge dhe ka rënë në kanal. Si pasojë është plagosur rëndë drejtuesi i mjetit Agim Agalliu 50 vjeç. Burime nga policia rrugore thonë se ky aksident mund të ketë patur si shkak verbimin e shoferit nga një automjet tjetër, gjë që ka sjellë daljen nga rruga. Ndërkohë është përhapur paniku tek banorët nga rrjedhja e solarit në rrugë. Por janë marrë masa të menjëhershme për pastrimin e rrugës nga Solari.
Tiranë-Elbasan, 9 viktima
Katër persona mbetën të plagosur në 24 orët e fundit gjatë aksidenteve rrugore të ndodhura në akse të ndryshme në qarkun e Elbasanit. Burime të policisë lokale thanë se "aksidenti i parë ndodhi rreth orës 19:30 të ditës së diel, në vendin e quajtur “Fusha e Loparit”, në lagjen " 28 Nëntori" të Elbasanit, ku 16-vjeçari L. XH., lindur e banues në qytetin e Elbasanit, duke drejtuar mjetin e tij tip motoçikletë e markës "Jamaha", me targa EL 350 A, aksidentoi M. B., 42 vjeç, banues në këtë qytet, duke mbetur edhe vetë i plagosur". Sipas policisë, dy të lënduarit janë dërguar për në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, ndërsa 16-vjeçari L. XH., u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës për shërbim më të kualifikuar, pasi ndodhet në rrezik për jetën. Aksidenti i dytë ndodhi rreth orës 02.30 të mëngjesit të së hënës, në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur "Kthesat e Murrashit", ku 45-vjeçari Tahir Gjoka, me banim në Tiranë, duke drejtuar mjetin e tij tip "Land Rover", me targa TR 46 15 N, është përplasur me mjetin tip "Golf" me targa TR 49 26 B, si dhe me mjetin tip "Benz", me targa TR 99 68 B, me drejtues shtetasin H. S., 48 vjeç, lindur e banues në Fier. Si pasojë e aksidentit u plagosën rëndë një çift bashkëshortësh, pasagjerë në mjetin tip "Benz", shtetasit P.S. , 60 vjeç, si dhe R. S., 56 vjeç, lindur e banues në qytetin e Elbasanit. Mësohet se dy të aksidentuarit ndodhen në spitalin kirurgjik të Elbasanit nën kujdesin e mjekëve, ndërsa drejtuesi i mjetit "Land Rover", Tahir Gjoka, u arrestua në flagrancë dhe aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për konsumimin e veprës penale të " shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Ndërsa në Kavajë, shtetasja Liljana Daci, me banim në Tiranë, aksidentoi për vdekje me mjetin e saj tip Opel, teksa udhëtonte në aksin Kavajë-Durrës, shtetasin Lutfi Gjuzi, lindur në vitin 1939. Viktima po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Po të dielën në mbrëmje, përplasja mes dy mjeteve me targa të Tiranës, solli plagosjen e 4 të rinjve. Më rëndë ishte shtetasi Danil Lila, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë.
Të plagosur mbeten në aksidentet rrugore të ndodhura në Durrës dhe Mamurras edhe shtetasit Sh. C., 46 vjeç, banues në Lagjen Nr. 14 të qytetit bregdetar dhe M. N., 69 vjeçe, banuese në Mamurras. Të shtunën në mbrëmje gjeti vdekjen një 2-vjeçare dhe u plagosën 14 të tjerë në Sanxhak të Kurbinit dhe Elbasan. Ndërsa të dielën vdiqën 2 persona në veri të Shqipërisë.

TË PLAGOSURIT

VLORË
Gert Mustafaraj, 37 vjeç, i vdekur
Agim Agalliu, 50 vjeç, i plagosur
Haxhi Mesalla, 40 vjeç, i plagosur

ELBASAN
L. XH., 16 vjeç, i plagosur
M. B., 42 vjeç, i plagosur
P. S., 60 vjeç, i plagosur
R. S., 56 vjeç, i plagosur

DURRËS
Sh. C., 46 vjeç, i plagosur
Sokol Uruçi, 28 vjeç, i plagosur

MAMURRAS
M. N., 69 vjeçe, e plagosur

TIRANË
Lutfi Gjuzi, 69 vjeç, i vdekur
Ardian Prenjasi, 40 vjeç, i plagosur
Danil Lila, i plagosur
Dy të tjerë të plagosur

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›