Lufta për femrën plagos me armë 22-vjeçarin
DURRËS – Një sherr i rëndomtë mes një femre nga Tirana dhe një djali ka përfunduar me plagosjen e një 22-vjeçari. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se ditën e hënë, “rreth orës 24.15, në lagjen Nr. 11 të qytetit bregdetar, në kohën kur udhëtonte me automjetin tip “Benz”, me targa DR 5371 E, së bashku me shtetasen A.M., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, është plagosur me armë zjarri shtetasi Gj. C., 22 vjeç, banues në lagjen Nr. 18”. Sipas këtyre burimeve, autori i dyshuar i plagosjes mund të jetë shtetasi Elvis Cerma, lindur në vitin 1981 dhe banues në Lagjen Nr. 11 të këtij qyteti, i dënuar një herë tjetër për plagosje të rëndë. Po nga hetimet e para rezultoi se motivi i ngjarjes është një konflikt i ndodhur para 4 ditësh midis të dyshuarit dhe 20-vjeçares A. M. Burimet policore shtojnë se po punohet për kapjen e shtetasit Ervis Cerma, i cili akuzohet për veprat penale të “tentativës së vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
10 Qershor 2008