Topalli: “Arsyet e mosshqyrtimit të dekreteve të Topit”
Kryetarja e Kuvendit dha shpjegime dje në Kuvend në lidhje me vonesat e shqyrtimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Topalli tha se dekretet do të ishin shqyrtuar këtë javë në Komisionin e Ligjeve, por për shkak të mungesës së kryetarit të komisionit, Fatos Beja, dekretet do të shqyrtohen gjatë ditës së sotme. Sipas Topallit, Beja ka pasur arsye familjare për shkak të të cilave nuk ka qenë i pranishëm në Kuvend. “Meqë zoti Beja është kthyer, besoj se që nesër do të zhvilloni mbledhje në Komisionin e Ligjeve dhe sapo ky komision t’i miratojë dekretet, do t’i futim në seancë për t’i shqyrtuar”, - është shprehur Topalli. Më tej ajo bëri të ditur se është konsultuar me juristë dhe konstitucionalistë për çështjen e dekreteve. Topalli u shpreh se specialistët i kanë dhënë të drejtë asaj për kërkesën për informacion për anëtarët e dekretuar nga presidenti Topi për Gjykatën e Lartë. “Jam konsultuar me konstitucionalistë dhe juristë, pavarësisht se jam akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut pse kam kërkuar informacion për anëtarët. Të gjithë më kanë dhënë të drejtë dhe i janë referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas të cilit Kuvendi ka të drejtë të marrë informacion për anëtarët e dekretuar nga presidenti për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë”, - është shprehur Topalli.
10 Qershor 2008