E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me pensionet e minatorëve, hetohen 120 dosje



KUKËS - Rreth 120 ish-minatorë të rrethit të Kukësit janë denoncuar deri tani në Prokurorinë e këtij rrethi për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare me qëllim përfitim pensioni. Drejtori rajonal i sigurimeve shoqërore, Mirdash Hoxha, tha dje se "në jo pak raste skema e sigurimeve shoqërore është kthyer në 'strehë' të përfitimit korruptiv të të ardhurave nga persona të ndryshëm". Hetimi nisi pas kontrollit të ushtruar ndaj gjithë dokumentacionit të dosjeve të ish- minatorëve të rrethit të Kukësit, pjesa më e madhe e të cilave ka rezultuar me probleme. Drejtori Hoxha bëri të ditur se 207 dosje të tjera janë pezulluar, me qëllim ballafaqimin e dokumentacionit, që deri tani rezulton me mangësi.

Kërcënoi nëndrejtorin e KESH-it, hetohet 33-vjeçari

SHKODËR - Një 33-vjeçar nga Shkodra po ndiqet penalisht në gjendje të lirë nga prokuroria, pasi kanosi mbrëmjen e së dielës, teksa ushtronte detyrën, shtetasi Admir Golemin, nëndrejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dega Shkodër. Burime zyrtare pranë policisë së Shkodrës thanë se " Prokuroria e Shkodrës po ndjek në gjendje të lirë Agron Trashani, pas kallëzimit të bërë ditën e diel nga nëndrejtori i KESH-it. Burimet shtojnë se Admir Golemi është kanosur dhe fyer nga 33-vjeçari Trashani, teksa ai së bashku me ekspertët e tjerë të Korporatës po bënin kontrolle në lagjen "Vojo Kushi" të këtij qyteti". i denoncuari është marrë në pyetje nga policia në lidhje me këtë ngjarje dhe tashmë priten rezultatet e hetimit.

Ndalohen dy të rinj, vodhën rrjetin hidraulik të pallatit

SARANDË – Dy të rinj kanë vjedhur të gjithë rrjetin hidraulik të një pallati në ndërtim disa ditë më parë, por janë ndaluar mbrëmjen e së dielës nga forcat e rendit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Vlorës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22.00, në qytetin e Sarandës “u ndaluan shtetasit Eljon Malushi, lindur ne Ersekë dhe banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Bledar Koçiu, lindur në Berat”. Sipas këtyre burimeve ndalimi i 22- vjeçarit dhe 29-vjeçarit u bë për arsye se, në bashkëpunim, këta shtetas, më datë 05. 06.2008, kanë vjedhur tubat e instalimeve hidraulike të tre kateve të një objekti në ndërtim, i cili ndodhet në lagjen Nr. 1” të qytetit bregdetar. Burimet shtojnë se vlera e mallit të grabitur arrinte deri në 100.000 lekë. Materialet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsa ndaj shtetasve Eljon Malushi dhe Bledar Koçiu rëndon akuza për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”.

Bllokohen 40 kg marijuanë, zhduken tre trafikantët

GJIROKASTËR – Tre trafikantë arrijnë t’u shpëtojnë nga duart forcave të policisë në kufirin shqiptaro-grekë, por kanë lënë një sasi prej 40 kilogram drogë, e llojit marijuanë, e cila është sekuestruar nga policia. Burime zyrtare të Drejtorisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 03.30, të ditës së hënë, në vendin e quajtur “Gryka e bogazit” në afërsi të piramidës 24, në dalje të fshatit Peshkëpi e Sipërme, njësiti i policisë kufitare i Stacionit të Policisë Kakavijë, gjatë kryerjes së shërbimit, ka konstatuar në thellësi kufirit tre shtetas të cilët tentoni për të kaluar kufirin.
“Njësiti është afruar me shpejtësi dhe u ka bërë thirrje për të ndaluar, por ata menjëherë kanë hedhur çantat në tokë, dhe duke shfrytëzuar errësirën e natës, vendin e veshur me bimësi si dhe mjegullën e dendur, kanë mundur të largohen me shpejtësi në thellësi të tokës shqiptare”, - thonë burimet policore. Forcat e policisë gjetën 2 çanta shpine, të cilat kishin pako të dyshuara me lëndë narkotike si dhe një çantë dore me bukë. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, si dhe Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Nga këqyrja e çantave rezultoi se brenda tyre ndodheshin 32 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit marijuanë, të cilat varionin nga 1 kilogram e 100 gramë deri në 1 kilogramë e 200 gramë secila. Zëdhënësi i policisë Gentian Mullai pohon se lënda narkotike e gjetur peshonte rreth 40 kilogramë. Policia po punon për identifikimin e autorëve, ndërkohë që çështja ka kaluar për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›