37 intelektualët e pushkatuar, së shpejti “Nder i Kombit”
Një kulturë e gjerë perëndimore, e cila duhej ndëshkuar me jetë sapo të merrte në dorë pushtetin diktatori që do të sundonte Shqipërinë përmes dhunës dhe terrorit përgjatë 45 viteve me radhë. Fillimi i mbrapshtë prek familjet e mëdha në Shqipëri plot tradita atdhetare e njohuri perëndimore e me vizion të qartë për të ardhmen. Pinjollët e tyre, ata që kishin studiuar në universitetet më të mira të Perëndimit, me kontribute të shquara në arsim, kulturë, legjislacion, ushtri kombëtare, ekonominë e tregut duheshin ndaluar, sepse kundërshtuan regjimin që nisi të “lulëzonte” në dimrin e ftohtë të vitit 1944. 16 nëntor. Është koha pikërisht kur pushkatohen 37 intelektualë të Tiranës. Ata u ekzekutuan pa gjyq, sepse nuk mbështetën PKSH-në. Shkatërrimi ishte synimi, jo përmirësimi. Çdo gjë të përmbysej e të niste nga hiçi. Edhe njeriu! “Sikur komunizmi të kishte zgjatur edhe ca kohë, ne do të ishim kthyer në majmunë”, - thotë Solzhenicini. Sot, 65 vjet më pas, një ceremoni e organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare e të Persekutuarve Politikë dhe ambasada amerikane, për të përkujtuar dhe nderuar 37 intelektualët e pushkatuar. I pranishëm në ceremoninë e djeshme ishte edhe ambasadori amerikan, John Withers. “Sa herë shohim dhunë, një përpjekje për të fshirë shkëmbimin e lirë të ideve duhet ta kundërshtojmë atë.
Në këtë mënyrë ne kemi për të ruajtur jo vetëm kujtimin e tyre, por besimin te ideali për të cilin ata ishin të gatshëm të jepnin jetën e tyre. Por, ne mund t’u japim pavdekësinë idealeve të tyre. Ne nuk mund t’u japim pavdekësinë atyre personave. Ata e dhanë jetën për një parim, për një ideal, prandaj të sigurohemi që e gjithë sakrifica e tyre të mund të kujtohet", - deklaroi z. Withers. Mësohet se Presidenti Bamir Topi do t'i nderojë të 37 intelektualët e pushkatuar me titullin "Nderi i Kombit". Mes gjithë këtij grupi intelektualësh do të nderohen dhe Lorenc Rasha, i laureuar dy herë në Austri dhe Itali për mjekësi i cili është edhe babai i akrobates së njohur Vitore Sallaku (bashkëshortja e humoristit Skënder Sallaku). Mehmet Dado, që mbaroi me medalje ari te 'Harry Fulltz', shkoi në Kozencë për inxhinier, përfundoi me medalje ari si ushtarak i lartë, por ngaqë nuk pranoi të betohej para flamurit italian, e ulën në gradë. Isuf Adhami, drejtori i parë i kompanisë bujqësore Xhafzotaj, që ishte i martuar me një italiane dhe kishte të birin vetëm dy vjeç kur ai u ekzekutua. Sot, i biri tij, Adham Adhami, doktor i njohur në Itali, merr pjesë në këtë ceremoni, ku përveç babait të tij, do të nderohen dhe intelektualë të shumtë. Në mesin e të pushkatuarve janë dhe dy vëllezërit dhe kushëriri i Musine Kokalarit, Muntaz dhe Vesim Kokalari si dhe Syrja Kokalari. Po ato ditë janë pushkatuar dhe intelektualët Ali Panariti, Anton Fekeçi, Jakup Deliallisi, Akil Sakiqi, Lluka Xhumari e ushtarakët Boris Beleski, Nazmi Uruçi, Hamit Greblleshi, Abdulla Saraçi, Sybi Topalli, Muharrem Liku, Rakip Kalenja etj. Kurse në mes të 65 pedagogëve të burgosur janë edhe 8 burra nga familja Ndreu. Familja Ndreu nga fshati Sllovë i Dibrës është një ndër ato familje që u persekutuan rrënjësisht në epokën komuniste. 8 nga burrat e kësaj familjeje u burgosën me akuzën si “antikomunistë”, ndërsa familjet e tyre u internuan. Shumica e tyre kishin mbaruar Normalen e Elbasanit, “Harry Fultz” dhe një pjesë vazhduan studimet jashtë shtetit, në Francë e Itali. Në mes të emrave të pedagogëve të vrarë është dhe Havzi Nela, i cili ishte kundërshtar i hapur i regjimit dhe nuk rreshti së foluri kundra Hoxhës deri në vitin 1988 kur vdiq. Herën e parë ai arrestohet në vitin 1967, sepse kundërshtoi publikisht regjimin para publikut. Ai arrestohet përsëri dhe dënohet me varje më 10 gusht 1988. Poeti kuksian sot e kësaj dite kujtohet në vendin e tij, ndërsa të moshuarit drithërohen nga historia e dënimit të poetit. Para se të varej publikisht, Havzi Nela për 5 ditë dhe 5 net nuk vuri as ujë, as bukë në gojë, ndërsa terrori u shtua në qytet pas ekzekutimit publik. Secili prej tyre mban një histori, të cilat kur i lexon pas kaq vitesh, duken si të pamundura, por vetëm vitet e para të çlirimit 65 pedagogë u burgosën dhe 28 të tjerë u dënuan me vdekje. Pas tyre janë po kaq familje të cilat kanë vuajtur në kurriz peshën e rëndë të internimit. Nga studimet në universitetet evropiane përfundonin në punimin e tokës dhe çarjes së maleve tejpërtej.
Pedagogët e dënuar me pushkatim
Syrja Kokalari
Lindi në Gjirokastër më 1903, ndërsa studimet e larta i kreu në Itali. Më 12 nëntor 1944 u pushkatua pa gjyq.
Salim Kokalari
Lindi më 1896 po në Gjirokastër. Emigron në SHBA më 1916, po më pas kthehet duke punuar si pedagog në Liceun e Gjirokastrës. Dënohet me pushkatim më 10 tetor 1947.
Selaudin Toto
Lindi në Tiranë më 1919. Kreu studimet e larta për Matematikë-Fizikë në Universitetin e Torinos, ndërsa themelon Institutin e Shkencave. Deputet i legjislacionit të parë të deputetëve, dënohet me pushkatim më 10 tetor 1947.
Namik Hadëri
Lindur në Delvinë më 1912. Pasi kryen shkollën “Harry Fultz” në Tiranë, punoi si arsimtar. Arrestohet më 22 korrik 1947 me akuzën “agjent amerikan”. Më 27 korrik po të atij viti pushkatohet.
Kostandin Kote
Lindur në Përmet 1896. Kryen studimet e larta për Shkenca Politike-Ekonomike në Romë. Pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës më 1920. Në 1942 ka qenë gjashtë muaj ministër i Ekonomisë. Dënohet me pushkatim, 14 prill 1945.
Javer Hurshiti
Lindur në Kaukaz më 1880. Kryen studimet e larta në Shkenca Politike-Administrative në Stamboll. Kryetar i forcave të Gjirokastrës në luftën e Vlorës më 1920. Deputet i Gjirokastrës më 1925. Dënohet me vdekje, pushkatim, më 14 prill 1945.
Sami Sulstarova
Lindur në Pogradec më 1906. Në vitin 1929 ishte profesor i vizatimit teknik. Si zotërues i gjuhës angleze punon tek UNRRA. Arrestohet natën e Vitit të Ri 1946 nga Sigurimi i Shtetit dhe zhduket pa iu ditur as varri. Samiu kishte lidhje me grupin “Bashkimi Demokrat”.
Ndrek Kodheli
Lindur më 1909 në Shkodër. Arrestohet në nëntor 1944 dhe dënohet me 7 vjet burg. Më 1946 pritej që një delegacion i Parlamentit anglez të vizitonte burgjet. Ndrekën e nisin për në burgun e Burrelit dhe e pushkatojnë gjatë rrugës.
Loni Adhami
Lindur më 1908 në Progër të Devollit. Që prej vitit 1929 deri më 1939 ka qenë sekretar në ambasadën amerikane në Tiranë. Si pasojë e trajtimit barbar në hetuesi jep shpirt në qershor 1947.
Niko Lezo
Lindur në Delvinë 1891. Diplomohet në Universitetin e Tuluzës, Francë, për shkencat e natyrës. Krijoi të parin laborator kimik në Shqipëri. Deputet i Delvinës 1923-1924. Pushkatohet më 1951, akuza: “Bomba në ambasadën sovjetike”.
Kamber Kazazi
Lindur më 1912 në Elbasan. Kryen shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”. Arrestohet në vitin 1947 si pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Akuzohet si agjent amerikan dhe dënohet me vdekje, pushkatim.
Kostaq Stefa
Lindur në Berat 1904. Kryen studimet e larta në Institutin e Magjistraturës në Francë për Shkenca Shoqërore. Arrestohet më 8 shtator 1947. Akuza: “Spiun i amerikanëve”. Më 3 mars 1947 pushkatohet.
Beqir Çela
Lindur më Durrës 1918. Akuzohet si pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Torturohet gjatë hetuesisë deri më humbje të ndjenjave. Me proces të montuar dënohet me vdekje, pushkatim 10 tetor 1947.
Tefik Deliallisi
Lindur në Shijak më 1917. Pjesëmarrës në grupin e deputetëve të vitit 1947. Arrestohet në vitin 1946 dhe pushkatohet më 10 tetor 1947.
Edip Tershana
Lindur në Dibër të Madhe, 1907. U arrestua më 1947 me akuzën “armik i popullit”. U dënua me vdekje, pushkatim. Ai ishte kundër bashkëpunimit me Partinë Komuniste jugosllave.
Lorenc Rasha
Lindur në Shkodër më 1900. Kreu shkollën françeskane në Shkodër, kurse studimet e larta në Austri. Më 12 nëntor 1944 me urdhër të Mehmet Shehut, pushkatohet.
Bego Gjonzeneli
Lindur në Vlorë më 1911. Diplomohet në Universitetin e Romës për Histori e Filozofi. Arrestohet më 1945 dhe dënohet me 25 vjet burg për veprimtari antikomuniste. Në 1950 pushkatohet.
Namik Lesko
Lindur në Delvinë më 1918. Regjimi i egër komunist vrau dhe vëllain e mbetur, Namikun, duke e pushkatuar në dhjetor 1945.
Të vdekur në burg
Gjergj Kokoshi
Lindur në Shkodër më 1904. Laureuar për Letërsi në Universitetin e Parisit. Dënohet me 30 vjet burgim dhe vdes në burgun e Burrelit më 1960.
Xhevat Korça
Lindur në Korçë 1892. Kryen dy fakultete, atë të Jurisprudencës dhe Pedagogjisë. Arrestohet në vitin 1945 si armik i popullit dhe dënohet me burg të përjetshëm. Si shenjë proteste për keqtrajtimin në burgun e Burrelit shpall grevën e urisë derisa i dha fund jetës mbas 12 vitesh burg.
Mirash Ivanaj
Lindur në Shkodër 1886. Mbaruar në Itali për Shkenca Politike-Ekonomike. Ministër i Arsimit. Me pushtimin e Italisë më 1939 emigron. Arrestohet më 1947 dhe dënohet 7 vjet burg. Një javë para se të lirohej, vdes në infermierinë e burgut të Tiranës.
Shasivar Islami
Lindur në Libohovë më 1913. Kreu pedagogjiken dhe të lartën në Itali. Arrestohet në vitin 1945 si pjesëmarrës në organizatën e “Bashkimit Demokrat”. Dënohet me 15 vjet burg, vdes si pasojë e vuajtjeve.
Hiqmet Rroshi
Lindur në Libohovë më 1980. Mbaroi studimet pedagogjike në Stamboll. Arrestohet në janar 1945 dhe lirohet për mungesë fajësie. Arrestohet përsëri në vitin 1948 dhe mbas 5 muajsh në hetuesi ndërroi jetë.
Sulejman Lleshi
Lindur në Tiranë 1914. Kryen studimet e larta për Letërsi në Itali. Pjesëmarrës në mbledhjen e Mukjes. Arrestohet në vitin 1946. E dërgojnë në Pejë, ku burgoset nga UDB-ja jugosllave. Në qershor 1946 futen çetnikët në burgun e Pejës dhe masakrojnë, duke e therur me thikë së bashku me patriotin dhe nacionalistin, Klement Curri (nip i Bajram Currit).
Të burgosur
Mihal Zallari
Foto Bala
Musa Dizdari
Mustafa Greblleshi
Xhavit Mehilli
Sami Repishti
Tahir Hoxha
Arshi Pipa
Kasem Malaj
Beqir Haçi
Riza Shtylla
Hasan Rami
Petro Marko
Pjetër Arbnori
Fiqiri Llagami
Reshat Asllani
Gjergj Komnino
Shaqir Trimi
Halit Selfo
Akile Tasi
Pjetër Gjini
Agim Musta
Hekuran Zhiti
Visar Zhiti
Uran Kalakula
Mustafa Cara
Beqir Ajazi
Llazar Papapostoli
Osman Bishqemi
Tanush Kaso
Astrit Delvina
Xhemal Alimehmeti
Koço Llukani
Xhemal Belegu
Abdurahman Kreshpa
Osman Visha
Argjend Goci
Haxhi Goci
Beqir Xhepa
Xhevat Bujari
Martin Camaj
Mitrush Kuteli
Maksen Bundo
Pirro Kuqi
Luan Myftiu
Gaqo Peçi
Sali Doko
Baftjar Ndreu
Xheladin Ndreu
Selman Ndreu
Lazem Ndreu
Rexhep Ndreu
Irfan Ndreu
Rizahi Ndreu
Halit Ndreu
Sherif Merdani
Leonard Prifti
Veniamin Dashi
Muntaz Kokalari
Lindi në Gjirokastër më 1896, ndërsa studimet pedagogjike i kreu në Turqi. Si pjesëmarrës në revolucionin e qershorit u burgos 4 vjet nga regjimi i asaj kohe. Themeluesi i “Mesagjerisë shqiptare”. Pushkatohet pa gjyq më
12 nëntor 1944.
Vesim Kokalari
Lindi në Gjirokastër më 1898. Në vitin 1932 ishte pjesëmarrës në lëvizjen e Vlorës, ku dënohet 10 vjet burg. Në vitin 1943 themeloi shtëpinë botuese ku botoi disa kryevepra botërore. Vesimi u pushkatua më 12 nëntor 1944 pa gjyq.
Musine Kokalari
Lindur në Gjirokastër më 1917. Kryen studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Romë. Arrestohet në nëntor 1944, por lirohet. Më 1945 arrestohet si kryetare e grupit Social Demokrat, Dënohet 20 vjet dhe vdes në internim.
Sabiha Kasimati
Lindur në Ankara të Turqisë më 1912. Akuzoi Enver Hoxhën publikisht si diktator e më pas në 1951 me grupin e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike, ajo u dënua me pushkatim si bashkëpunëtore.
Lef Nosi
Lindi në Elbasan më 1891. Pasi kryen studimet e larta në Filozofi e Letërsi ai bëhet botues dhe drejtor i revistës politiko-letrare “Tomorri”. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me pushkatim.
Kol Tomara
Lindur në Devoll më 1887. Më 1907 është sekretar i shoqërisë “Besa-Besa” në Boston dhe më 1915 sekretar i “Vatrës”. Më 1924 ai është anëtar i Asamblesë Kushtetuese. Më 14 prill 1945 dënohet me pushkatim.