E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE pranon Shqipërinë për statusin kandidat, në 2014-n anëtare e plotë



Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pranuan dje zyrtarisht aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat. Në konferencën kryesore për shtyp në mbrëmje, në përfundim të mbledhjes të ministrave të Jashtëm, Këshilli vendosi që t'i kërkojë Komisionit Evropian që të përgatisë opinionin për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, Shqipërisë i është hapur drita jeshile për të përfituar statusin kandidat për t’u bërë më pas anëtare e Bashkimit Evropian. Vendimi i Këshillit të Ministrave u mor dje në takimin e radhës së shefave të diplomacisë së vendeve anëtare. Sipas deklaratës zyrtare, Këshilli i Ministrave vendosi të zbatonte procedurat sipas artikullit nr. 49.

Këshilli rithekson se progresi i secilit vend drejt BE-së varet nga përpjekjet individuale për të plotësuar kushtet e Kopenhagenit dhe kushtet e përcaktuara në MSA. Shqipëria aplikoi gjatë Presidencës çeke në 28 prill të këtij viti për statusin e vendit kandidat. Tashmë Shqipëria do të presë pyetësorin e Komisionit Evropian. Teknikisht, Komisioni Evropian vlerëson se i nevojiten 12 muaj deri në publikimin e opinionit, pas marrjes se përgjigjeve nga Tirana zyrtare që të vlerësojë nëse Shqipëria është ose jo në gjendje për të kaluar në fazën tjetër të procesit integrues në Bashkimin Evropian.

Me ardhjen e pyetësorit qeveria shqiptare duhet të japë përgjigje konkrete për gjendjen e drejtësisë, sigurisë dhe ekonomisë në vend, pasi të marrë pyetësorin e Komisionit Evropian brenda këtij viti në vazhdën e aplikimit të statusit kandidat për në BE. Edhe komisioneri i Zgjerimit në KE, Olli Rehn, tha se Shqipërisë do t’i niset së shpejti pyetësori, ndërsa në një konferencë për shtyp të një dite më parë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se më se 40 institucione shqiptare do të përfshihen nga pyetësori. “Ne presim që një pjesë e madhe e pyetjeve, nisur edhe nga eksperiencat e tjera, të jenë në kapitullin e drejtësisë dhe të sigurisë, sikurse një numër i madh pyetjesh që do të kthehen në një punë reale, voluminoze dhe konkrete do të ketë pjesa ekonomike, pra e standardit ekonomik. Në parandarjen që ne kemi bërë në bazë të një draft-modeli pyetësori kemi identifikuar që institucionet që do të jenë të përfshira në volum më të madh pune do të jenë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave”, - tha Bregu, e cila shtoi: “Këtë dokument të rëndësishëm prej 2 mijë e disa pyetjesh shpresojmë ta kemi brenda vitit 2009”. Nga momenti i tërheqjes së pyetësorit nga Komisioni Evropian, qeveria shqiptare pritet të kërkojë vetëm katër muaj kohë për plotësimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›