Kërkesat e vendorëve të PS-së, Berisha: Do t’i shqyrtoj
Kryeministri Sali Berisha do të shqyrtojë 5 kërkesat e vendorëve socialistë dhe më pas do t’u kthejë atyre një përgjigje zyrtare. Këtë bëri dje të ditur kreu i qeverisë në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor të PD-së në pjesën e saj pa praninë e medias. Burime brenda grupit të deputetëve bëjnë të ditur se përveç diskutimit të projektbuxhetit 2010, Kryeministri u ndal edhe në kërkesat e paraqitura përmes një proteste të PS-së për autonominë lokale. Drejtuesit e PS-së në bashki e komuna, organizuan të dielën një protestë kundër asaj që kjo forcë politike e quan si shkelje të autonomisë vendore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i PS-së, Edi Rama, parashtroi 5 kërkesa dhe vuri një afat deri më 5 dhjetor për plotësimin e tyre. Por këto pretendime bien ndesh me konstatimet e Këshillit të Evropës për procesin e decentralizimit dhe marrëdhënieve të qeverisë qendrore me qeverisjen lokale. Presidenti i Kongresit Vendor dhe Autoriteteve Lokale, Ian Micallef, tha qartazi pas një takimi që pati në fillim të muajit me Edi Ramën, se në asnjë rast nuk ka konstatime negative për procesin e decentralizimit në Shqipëri dhe cenimin e pavarësisë së pushtetit lokal nga ai qendror. “Nuk ka pasur asnjë raport që flet për cenimin e pushtetit lokal. Ka disa deklarata apo pretendime të cilat duhen parë, por kur zhvillova bisedime me Presidentin e Republikës, Kryeministrin dhe me ministrin Basha, konstatova se nuk ka asnjë vullnet nga qeveria, asnjë synim, për të ndërhyrë në autonominë e pushtetit lokal. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk po them që çdo gjë është e përkryer, por siç themi ne në anglisht, në rast se ka vullnet, ka një mënyrë. Pra, në rast se ka një vullnet politik të qeverisë për të vazhduar në rrugën që siguron autonomi për pushtetin lokal, atëherë këtë do ta kemi shumë shpejt në këtë vend”, - deklaroi z. Micallef. Ndërsa, nga përfaqësues të qeverisë, ato janë konsideruar si jashtë realitetit. Gjithsesi, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të shqyrtojë kërkesat e socialistëve vendorë.
Kufiri detar, PD pret Kushtetuesen, votim varrezave greke
Mazhoranca qeverisëse do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të procedojë me votimin në Kuvend të marrëveshjes së ujërave detare Shqipëri-Greqi. Për sa i përket çështjes së varrezave të ushtarëve grekë, mazhoranca do ta votojë marrëveshjen brenda tri javëve, pasi ajo tashmë është parashikuar në punimet e kalendarit të Parlamentit. Këto i bëri dje të ditura Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së në pjesën e saj pa praninë e medias. Z. Berisha para deputetëve demokratë u ndal pikërisht në këto dy çështje mjaft të debatuara nga opozita, kryesisht për paktin detar me Greqinë. Kreu i qeverisë vuri në dukje se nuk do të ketë asnjë ngutje në miratimin e saj në Kuvend dhe për këtë arsye mazhoranca do të presë vendimin që do të japë Gjykata Kushtetuese pas depozitimit të ankesës së bërë nga opozita e majtë.