E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përshëndet pranimin në BE: Realizim çdo kërkese të Brukselit



Qeveria shqiptare po shkon drejt finalizimit të detyrimeve që rrjedhin për integrimin dhe pranimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtare në BE vjen si pasojë e vlerësimit të procesit zgjedhor nga ndërkombëtarët. Me këtë deklaratë doli mbrëmë para qytetarëve shqiptarë Kryeministri i vendit, Sali Berisha, nga ku përshëndeti pranimin e kërkesës së Shqipërisë nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Përmes një konference për shtyp, kreu i qeverisë e cilësoi si një vendim “historik” vendimin e vendeve të BE-së për të pranuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Sipas tij, kjo u arrit falë standardeve të regjistruara në zgjedhjet e 28 qershorit. “Ky vendim historik u mor nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Reformat e ndërmarra të qeverisë dhe zgjedhjet e ndershme ishin faktorët që bënë të mundur ardhjen e kësaj dite historike për vendin tonë.

Ishte një vendim historik i vendeve të BE-së për të pranuar kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit. Ishte vendimi më i rëndësishëm pas anëtarësimit në NATO. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin prova më e madhe për të treguar përkushtimin për një demokraci dhe shoqëri të lirë”, - pohoi z. Berisha. Kryeministri përfitoi edhe një herë për t’i bërë ftesë opozitës për t’u bashkuar në realizimin e reformave jetike për integrimin e vendit. “I bëj një apel miqësor opozitës: Le të punojmë së bashku në këto momente historike, të ndërmarrim së bashku reformat më të thella si interesi më jetik dhe më i mirë i qytetarëve të këtij vendi”, - u shpreh z. Berisha. Sipas tij, ky bashkëpunim synon një qëllim të vetëm, përparimin e vendit, për qytetarët shqiptarë dhe kombin tonë. “Le të ndërmarrim bashkë, - shtoi Berisha, - reformat më të thella për qytetarët shqiptarë, pa dallime politike, ku 96% e të cilëve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Por, Kryeministri e quajti si diçka të pamundur kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Ai vuri në dukje: “Të pretendosh të shkelmosh vendimet e gjykatave për arsye politike, është e pamundur, por unë mbetem i hapur për një bashkëpunim të gjerë me zotin Rama”. Më tej, Kryeministri falënderoi ministrat e Jashtëm të BE-së për vendimin e tyre, duke dhënë garancinë e tij për realizimin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit. “Unë shfrytëzoj këtë moment për të falënderuar dhe për të garantuar ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së se do të ndërmarrim çdo reformë për të përmbushur të gjitha detyrimet për të plotësuar projektin e Shqipërisë evropiane”, - deklaroi Kryeministri Berisha.

I pyetur nëse mazhoranca ka një zgjidhje për zhbllokimin e ngërçit politik në kohën kur bojkoti dhe protestat e opozitës vazhdojnë, kreu i qeverisë konsideroi se vendimi i djeshëm i ministrave të Jashtëm të BE-së për pranimin e kërkesës për anëtarësimin e Shqipërisë është apeli më i mirë për bashkëpunim me opozitën. “Për çdo qytetar të këtij vendi, për ata që kanë integrimin në Evropë si interesin më madhor, vendimi i sotëm është apeli më i fuqishëm për bashkëpunim dhe për të çuar përpara këtë proces në interes të qytetarëve shqiptarë”, - theksoi Berisha, ndërsa tha se qeveria mbetet e hapur për bashkëpunim me opozitën. Për sa i përket protestës së socialistëve më 20 nëntor, Kryeministri nënvizoi se detyra e tij e vetme është të sigurojë mbarëvajtjen e saj. “Ky është një vend i lirë, ku liria e tubimit është e garantuar kudo. Unë do të bëj detyrën time, të garantoj sigurinë e protestave të opozitës”, - u shpreh Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›