E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD fiton zgjedhjet e pjesshme vendore

17/11/2009  Nxjerrja e rezultatit

Komisioni Qendror i zgjedhjeve përmes zëdhënësit të tij Leonard Olli ka vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor të ditës së diel në pesë njësi të qeverisjes vendore për zgjedhjen e kreut të bashkisë apo komunës. Ai ka bërë gjithashtu të ditur sigurimin e fitores nga PD-ja në të gjitha këto qendra votimi. “Ecuria e procesit mund të themi plotësisht se ishte e kënaqshme, po aq sa ishte edhe pjesëmarrja e qytetarëve në qendrat e votimit, ku përveç njësisë nr. 10, ku pjesëmarrja kapi shifrat rreth 21 %, në të katër njësitë e tjera ishte rreth 50 %”, - tha Olli gjatë një prononcimi për mediet. Sipas rezultateve, kandidati i Partisë Demokratike Blendi Fuga është fitues i zgjedhjeve në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë. Nga 4251 vota të vlefshme 3385 prej tyre janë marrë nga kandidati i PD-së Blendi Fuga dhe 866 nga kandidati i LSI-së Gjergji Thomai. Ndërkohë në komunën e Otllakut është shpallur fitues kandidati i PD-së Muharrem Hoxha me 2406 vota, ndërkohë që kandidati i LSI-së Nasip Gjoka mori 316 vota. Për të dhënë rezultatet u numëruan 15 qendra votimi. Kandidati i PD-së ka rezultuar fitues edhe në Bashkinë e Klosit. Ramazan Mjeshtri mori 2613 vota, kundrejt kandidatit të LSI-së Xhevdet Reçi, i cili mori 976 vota. Në votimet e kësaj bashkie morën pjesë 50 % e votuesve dhe u numëruan 15 qendra votimi. Edhe në Bashkinë e Fushë-Arrëzit fitues është shpallur kandidati i PD-së Alfred Qasa, i cili mori 969 vota, ndërsa kandidati i LSI, Dedë Gjergji, mori 445 vota. Gjelosh Peplokaj është kandidati i pestë i PD-së për të kryesuar komunën e Fierzës, i cili mori 900 vota, kundrejt 47 votave që mori kandidati i LSI-së, Mehmet Ponari. Në zgjedhje morën pjesë 55.3 % e votuesve. Këta fitues do të drejtojnë pesë njësitë për mandatin e mbetur pas zgjedhjes deputetë të ish-krerëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›