E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Fajon: Brenda vitit 2010



Shqipëria ndodhet në hapat e fundit për të përfituar liberalizimin e vizave brenda vitit 2010. Një fakt të tillë e konfirmoi eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, e cila vizitoi dje Tiranën zyrtare. Gjatë një tryeze të organizuar dje nga Ministria e Jashtme së bashku me organizatat ESI dhe EMA me temën “Regjimi pa viza për Shqipërinë – hapat e fundit”, eurodeputetja tha se besimi i Bashkimit Evropian është që Shqipëria dhe qytetarët e saj të lëvizin pa viza vitin e ardhshëm. “Është realiste të presim që vizat do të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010”, - deklaroi Fajon, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë që ka plotësimi i kërkesave nga ana e Shqipërisë. Ajo shprehu angazhimin e Parlamentit Evropian për të punuar për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave. “Është një mesazh i qartë dhe i fortë e sidomos për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, sepse ne nuk duam të humbim më tepër kohë për Shqipërinë, kur vendi të jetë gati, kur vendi të përmbushë kushtet”, - u shpreh Fajon. Një tjetër shqetësim i Fajon ishte edhe bojkoti i Kuvendit nga opozita. Ajo kërkoi dialog mes palëve dhe nevojën e një opozite në Kuvend. “Shqipëria nuk është më e izoluar. Ne jemi të shqetësuar për mungesën e dialogut midis opozitës dhe mazhorancës në Parlament. Jemi të shqetësuar për bojkotin e opozitës”, - theksoi eurodeputetja Fajon. Duke u ndalur më tej te liberalizimi i vizave, eurodeputetja shprehu mbështetjen pa rezerva të Parlamentit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, duke theksuar se liberalizimi i vizave duhet të jetë një objektiv i përbashkët i qeverisë, shoqërisë civile dhe opozitës.

Gjatë fjalës së tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi dëshirën e tij që kjo konferencë të shënonte një pikënisje të re, më bashkëpunuese, më angazhuese dhe më frytdhënëse në marrëdhënien e Ministrisë së Punëve të Jashtme me institucionet e pavarura dhe përfaqësuesit e gjithë shoqërisë. Ai nënvizoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit, duke u ndalur në ecurinë konkrete në katër blloqet e tij, të cilat janë reflektuar në raportin përfundimtar, që u dorëzua dje pranë Komisionit Evropian.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe ambasadori i KE-së në Tiran, Helmuth Lohan. Ai vlerësoi progresin e konsiderueshëm të bërë së fundmi nga qeveria shqiptare në plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimësisë së zbatimit të reformave, veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përdorimin e teknologjisë së re në pikat e kalimit kufitar dhe në zbatimin e legjislacionit të miratuar. “Shqipëria ka një shans realist për heqjen e vizave së shpejti”, - tha Lohan. Në këtë konferencë morën pjesë krahas ministrit Meta, edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri ambasadori Helmuth Lohan si dhe ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së dhe të rajonit të akredituar në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›