37 me 24: PDS nënshkruan me opozitën, Rama i quan kundërshtarët mbeturina politike
Entuziazmi ka përfshirë kampin e majtë, pasi kanë arritur të marrin në gjirin e tyre 37 parti. Numrat shpesh nuk kanë rëndësi, por kësaj here treni i opozitës duket më i gjatë.
Kurse Partia Demokratike tërheq një tren me 23 vagona nga pas.
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme edhe Partia Demokracia Sociale i është bashkuar koalicionit të opozitës.
Termat që neve kemi arritur në përfundim të marrëveshjes i garantojnë Demokracisë Sociale jo vetëm bashkëpunim të ndershëm, të sinqertë në zgjedhjet parlamentare që po trokasin, por në të njëjtën kohë garantojnë edhe pjesëmarrjen e Demokracisë Sociale në sistemin e mbrojtjes së votës së saj. Gjithashtu, kjo marrëveshje që ne kemi arritur garanton në përfundim të zgjedhjeve me koalicionin tonë opozitar edhe pjesëmarrjen dinjitoze të Demokracisë Sociale në qeverisjen e ardhshme të vendit në përputhje me kontributin që ajo do të japë në procesin zgjedhor, tha Milo në një konferencë për shtyp.
Kurse Edi Rama i quajti kundërshtarët e tij mbeturina politike.
Përballë qendrës së grumbullimit të mbeturinave të politikës së vjetër të këtyre tetë viteve rrënim, ne vazhdojmë punën intensivisht për të zgjeruar ende më shumë Aleancën për Shqipërinë Europiane, si një front. Një front që shtrihet përtej opozitës së bashkuar tradicionale, që përfshin forca të djathta, forca të qendrës, forca të majta dhe që ka një synim të përbashkët, rivendosjen e demokracisë. Që ka një qëllim të përbashkët, shporrjen e kësaj kaste, e cila është bërë e padurueshme për shqiptarët dhe që e ka bërë qesharake Shqipërinë, tha Rama./ep