Jo të gjithë demokristianët dhe çamët shkojnë me PD-në, Zef Bushati revoltohet dhe kalon me PS-në
Pavarësisht se dy parti të demokristianëve u bashkuan me Partinë Demokratike, edhe socialistët kanë arritur të marrin në koalicion një parti demokristiane. Bëhet fjalë për Aleancën Demokristiane të Zef Bushatit.
Ky i fundit, deri para pak orësh negocionte me PD-në, por është revoltuar mesa duket nga fakti se ndonjë demokristian do jetë në listën e PD-së.
Ne e kemi marrë tashmë vendimin tonë, për tju bashkëngjitur këtij koalicioni të majtë, Rilindjes, e cila i përshtatet edhe demokristianëve. Ne garojmë nën siglën e Aleancës Demokristiane, edhe në këtë koalicion ku marrin pjesë. Thirrjet tona do të jenë për të gjithë elektoratin që të votojë për kandidatët e Aleancës Demokristiane. Shpresojmë që të gjithë së bashku do të arrijmë më të mirën e mundshme në këto zgjedhje, tha Bushati në konferencën me kryetarin e PS, Edi Rama.
Kurse Rama tha: Ardhja e Aleancës Demokristiane i jep një profil ende më të plotë të një fronti të përbashkët që shtrihet e përsëris nga e djathta ku tanimë shtohet edhe një forcë me integritet, në qendër ku kemi partinë Bashkimin për të Drejtat e Njeriut, po ku kemi edhe Partinë Socialiste si qendër e majtë. Ku kemi edhe boshtin strategjik me LSI-në, dhe sigurisht edhe majtas me aleatët tanë tradicionalë, ndërkohë që përballë e përsëris kemi atë që kemi dhe duke e parë mikun tim aktor i njohur dhe protagonist në një film të njohur mu kujtuan tespihet e plakut Mere që në 23 qershor do të shpërbëhen në duart e kryeministrit, që faktikisht, ia thashë Zefit pati rolin që e solli Zefin dhe Aleancën Demokristiane këtu në këtë seli si një komunist që i solli demokristianët tek socialistët.
Po kështu edhe një krah i çamëve është bashkuar me socialistët.
Aleanca Popullore ka nënshkruar koalicionin me PS-në.
Kryetari i kësaj partie, Artur Dojaka tha: Jemi këtu sepse gëzojmë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për ta zgjidhur drejt çështjen çame, ashtu siç e kërkon e drejta ndërkombëtare e lirive të njeriut. Jemi këtu si përfaqësues të komunitetit çam, për të shprehur qartë distancimin tonë nga uzurpatorët e PDIU-së, me në krye Shpëtim Idrizin, të cilët e këmbyen kauzën tonë me drejtori matrapazësh dhe tenderë korrupsioni. Në emër të Aleancës Popullore, të drejtuar nga Lëvizja Çame, falënderojmë Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, zotin Edi Rama për vlerësimin që po i bën çështjes çame, duke ftuar në koalicionin fitues të zgjedhjeve të 23 qershorit, Aleancën Popullore si një parti pa një ngjyrim politik, por si një parti gjithë përfshirëse mbarëpopullore. Me pjesëmarrjen tonë në Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe daljen fitues në zgjedhjet e qershorit, garantojmë jo vetëm komunitetin çam, por mbarë opini0onin publik brenda dhe jashtë vendit se pas qershorit i vjen fundi korrupsionit varfërues të ushtruar nga Shpëtim Idrizi me shokë. Çamëria ka nevojë për ne dhe ne i duhemi asaj sot./ep