E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 koalicionet që do të formohen në zgjedhjet e vitit 2009



Shaban Sulçe

Në më pak se një vit afat nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, skena politike shqiptare kristalizon 4 koalicione të mundshme konkurruese. Ndërsa në kampin e majtë, pothuajse është i sigurt kandidimi me dy koalicione, e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në spektrin e djathtë që qeveris aktualisht vendin. Partia Demokratike duket se ka të sigurt mbledhjen rreth vetes në një koalicion të vetëm partitë kryesore të së djathtës, të cilat kanë pasur edhe hapësira në qeverisjen aktuale. Megjithatë, brenda së djathtës pritet krijimi i një tjetër koalicioni konkurrues në zgjedhje, edhe pse modest, që duket se do të përbëhet nga forca politike të djathta, të pakënaqura nga mënyra e qeverisjes dhe menaxhimit të pushtetit nga ana e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, pra në spektrin politik të opozitës përçarjet midis dy partive kryesore, PS dhe LSI, si dhe mosmarrëveshjet për realizimin e Kodit të Ri Zgjedhor duket se e bëjnë të pamundur unifikimin e votës së të majtës në zgjedhjet e ardhshme, duke sjellë praktikisht kandidimin e opozitës me dy koalicione në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009.

PD-ja dhe aleatet
Partia Demokratike do të jetë udhëheqëse e koalicionit të djathtë, që do të konkurrojë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Partia e drejtuar nga kryeministri Berisha duket se e ka siguruar mbështetjen e partive kryesore të së djathtës dhe do të tentojë rimarrjen e mandatit për të qeverisur vendin në zgjedhjet e ardhshme. Berisha ka sheshuar përçarjen brenda së djathtës dhe do ta ketë më të lehtë për të menaxhuar fushatën zgjedhore dhe objektivin për të siguruar fitoren. Pasi ka mundur të shkrijë PDR-në, duke e bashkuar në strukturat e saj, Partia Demokratike ka arritur gjithashtu që të marrë konfirmimin e Partisë Republikane dhe Partisë Agrare Ambientaliste, për t’i përfshirë në koalicionin e udhëhequr prej saj në zgjedhjet e vitit 2009.

PDK dhe LZHK
Një koalicion modest brenda së djathtës, por që gjithsesi do të përbëjë një alternativë konkurruese në këtë spektër, duket se do të jetë koalicioni i mundshëm që pritet të krijohet nga Partia Demokristiane dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar. Edhe në periudhën kur ishin të përfshirë në qeverisje, por edhe pas saj, demokristianët kanë qenë gjithmonë kritikë ndaj Partisë Demokratike dhe mënyrës së saj për të qeverisur vendin. Aktualisht PDK-ja po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj kritik ndaj partisë kryesore të maxhorancës. Në të njëjtin front, madje menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005, është rreshtuar edhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, që sipas të gjitha gjasave, do të jetë aleatja e PDK-së në koalicionin e dytë të së djathtës në zgjedhjet e ardhshme.

PS dhe PSD
Që pas daljes në skenë të mosmarrëveshjeve me ish-aleatët e saj, si LSI, PDS dhe PAD, e vetmja forcë politike që ka mbetur aleate besnike e Partisë Socialiste është Partia Social-Demokrate. Duket se kjo mbështetje do të vijojë deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, ku Partia Socialiste pritet të kandidojë në koalicion me social-demokratët. Socialistët ende nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët me partitë e tjera të së majtës. Ndaj selisë rozë ekzistojnë akuzat për një bashkëpunim të ngushtë me Berishën për interesa personale, për ndryshimin e kushtetutës dhe për zvarritje të reformës zgjedhore. Përveç kësaj, lidershipi i PS-së ende nuk i është përgjigjur ftesës për negociata për reformën zgjedhore që i është bërë nga ish-aleati kryesor i të majtës, Lëvizja Socialiste për Integrim.

“E majta për integrim”
“Reforma Zgjedhore është kusht i patjetërsueshëm për normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me interesat e LSI-së apo thjesht të PS-së. Ky është detyrim i të gjitha forcave politike, për të respektuar votën e qytetarëve shqiptarë dhe për t’i dhënë fund diskutimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe të Parlamentit”. Deklarata e liderit të LSI-së Ilir Meta, bërë vetëm pak ditë më parë, shpjegon më së miri qëndrimin e LSI-së përsa i përket mundësisë së një bashkëpunimi të mundshëm me ish-aleatin e saj, Partinë Socialiste. Në mungesë të një konsensusi për reformën zgjedhore dhe në kushtet e thellimit të mosmarrëveshjeve për këtë çështje, duket praktikisht i pamundur kandidimi i së majtës në zgjedhjet e ardhshme me një koalicion të vetëm. Nga ana tjetër, LSI-ja duket se ka marrë masat për krijimin e një koalicioni konkurrues dhe me objektiva fituese në zgjedhjet e ardhshme. LSI do të jetë udhëheqësja e koalicionit “E majta për integrim”, koalicion i cili do të ketë gjithashtu mbështetjen e dy forcave të tjera të së opozitës, si Partia Demokracia Sociale dhe Aleanca Demokratike.

Koalicionet e mundshme në zgjedhjet e vitit 2009

Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Demokrate e re, Partia Ambientaliste

Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar

Partia Socialiste, Partia Social-Demokrate

Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokracia Sociale, Aleanca Demokratike

Rezultati në proporcional në zgjedhjet e 2007-s

Partia Socialiste 305.582
Lëvizja Socialiste për Integrim 121.172
Partia Social Demokrate 52.194
Partia Aleanca Demokratike 49.016
Partia Demokracia Sociale 39. 390

Partia Demokratike 271.705
Partia Republikane 75.730
Partia Demokrate e Re 66.623
Partia Demokristiane 58.484
Partia Agrare Ambientaliste 49.016
Partia Lëvizja e Legalitetit 27.788
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 32.032

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›