E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: “Reforma zgjedhore në rrezik, PS-PD po e trajtojnë si biznes



Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, ka akuzuar dy partitë e mëdha, PS-në dhe PD-në, se po vënë seriozisht në rrezik realizimin e reformës zgjedhore, duke e keqpërdorur atë për interesat e tyre personale. “Ne kujtojmë se qeveria dhe bashkëkontraktori (në fakt, nënkontraktori) i tyre i reformës zgjedhore, nuk kanë mësuar asgjë nga ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, që i vunë ata përballë kritikës mbarëpopullore dhe ndërkombëtare. Në mungesë të plotë të transparencës, ata po ujdisin së bashku nenet e Kodit Elektoral, si gjithnjë jashtë institucioneve dhe jashtë vëmendjes së publikut”, - tha Xhufi. Zëvendëskryetari i LSI-së denoncoi gjithashtu përpjekjet e PS-së dhe PD-së për të penguar punën në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore. “Ndërkohë që pengojnë punën në Komisionin përkatës të Reformës Zgjedhore, ku puna ka mbetur në diskutimin e 10 apo 12 neneve, ndër 140 që parashikohet të ketë Kodi, bashkëkontraktorët kryetarë të këtij komisioni japin në mënyrë të koordinuar sihariqe, sikur ata të dy paskan zgjidhur të gjitha nyjat e vështira të Kodit. Në logjikën e tyre, partive të tjera politike dhe Komisionit të Reformës nuk i mbetet tjetër veç të shprehin objeksionet dhe protestën e tyre, sepse vendimin përfundimtar do ta marrin ata”, - vijoi më tej ai. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së paralajmëroi PS-në dhe PD-në që të mos dëmtojnë realizimin e reformës zgjedhore. Ai e kritikoi PS-në për hezitimin për të bashkëpunuar me LSI-në në lidhje me këtë reformë, ndërkohë që akuzoi qeverinë se ka në plan të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor të vitit të ardhshëm. “LSI-ja me keqardhje paralajmëron se, për faj kryesisht të qeverisë, Shqipëria do të marrë një tjetër notë negative në vlerësimet e BE-së e të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë përsa i përket sfidës së përhershme të zgjedhjeve, që qëndron si shpata e Demokleut mbi të ardhmen europiane të vendit. Reforma zgjedhore, që në tërësinë e saj duhej të kishte përfunduar përpara samitit të NATO-s në Bukuresht, po zvarritet në mënyrë të papërgjegjshme. Për faj të qeverisë, por edhe të nënkontratorëve të saj, ne po i afrohemi fundit të vitit pa regjistër elektronik, pa karta identiteti, pa kod zgjedhor dhe me ndryshime të tilla në Kushtetutë e në sistemin zgjedhor, që paralajmërojnë jo stabilitet, por destabilitet të politikës e të institucioneve”, - tha Xhufi.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›