E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja e Himarës, thirrje partive për të denoncuar korrupsionin e Bollanos



Dega e LSI-së në Himarë u ka bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve lokalë të partive të tjera, të majta e të djathta, për t’u bashkuar në përpjekjet denoncuese ndaj korrupsionit dhe abuzimit me tokat e himariotëve, të kryera nga kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Gjatë një konference për shtyp, drejtuesit e degës së LSI-së në Himarë thanë se LSI-ja do të shumëfishojë reagimet dhe denoncimet e veta ndaj abuzimeve, korrupsionit, akteve abuzive administrative të lëshuara nga kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano dhe ndaj mënyrës se si po heshtet nga forcat politike lokale në Himarë, ndërkohë që u bëri thirrje këtyre të fundit për t’u bashkuar në denoncimin ndaj veprimeve të Bollanos. “Ne u bëjmë thirrje drejtuesve politikë lokalë të Himarës të reagojnë duke përfaqësuar spektrin e tyre politik dhe të dalin sa më parë nga “kapja” që kryebashkiaku u ka bërë atyre dhe misionit të tyre alternativ. Ne denoncojmë mbështetjen e fshehtë që ende u jep kryebashkiaku i Himarës këtyre latifondistëve të rinj të Himarës”, - thuhet në deklaratën për shtyp të degës së LSI-së në Bashkinë e Himarës. Përfaqësuesit e LSI-së në këtë qytet i kanë bërë apel komisionit të ngritur nga Bashkia e Himarës. “Ne i bëjmë apel të ashtuquajturit komision të ngritur nga i ashtuquajturi Kuvend i jashtëzakonshëm i Bregdetit, që i zhvilloi punimet në selinë e Bashkisë, të mos ushqejnë iluzione se afatin e përcaktuar për zgjidhjen e problemit të tokës do ta kalojë me premtim të pambajtur. Ne presim dhe po monitorojmë mënyrën se si po vepron ky komision dhe kontributin e munguar të kryebashkiakut Bollano. Forca jonë politike po monitoron punën dhe gjithë aktet administrative që kryen Bashkia e uzurpuar nga një klan njerëzish”, - vijon më tej deklaratat e degës së LSI-së për Bashkinë e Himarës. Përfaqësuesit e LSI-së në këtë qytet kanë mbështetur idenë e deputetëve Neranxi dhe Ngjela për ngritjen e një lobi parlamentar për Himarën.

20 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›