“4 vitet që vijnë do të investojmë 50 milionë dollarë në Përmet”
Kryeministri Berisha prezanton kandidatin e “Aleancës për qytetarin” në bashkinë e Përmetit, Kujtim Hoxha
Kryeministri Sali Berisha siguroi të martën banorët e Përmetit, se në 4 vitet që vijnë qeveria do të investojë 50 milion dollarë për zhvillimin e këtij rrethi.
Kryeministri Berisha vijoi sot paradite takimet për fushatën zgjedhore në Përmet, ku në një tubim me qytetarë shprehu mbështetjen për kandidaturën e Kujtim Hoxhës, përfaqësuesi i koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti.
Duke u ndalur te investimet e qeverisë për rrethin e Përmetit, Kryeministri Berisha theksoi se gjatë këtyre 4 viteve janë investuar në shkollat, ujësjellësit, kanalizimet dhe shërbimin shëndetësor të këtij rrethi rreth 10 milion dollarë.
Me premtimin për një infrastrukturë moderne dhe bashkëkohore për Përmetin dhe zonat përreth, kryeministri garantoi se në 4 vitet që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë dhe rrugicë të këtij qyteti, dhe të fshatrave përreth, si dhe do të përfundojnë rrugët Përmet- Tepelenë, Këlcyrë-Ballaban, Përmet – Tre urat.
“Në 4 vitet që vijnë do të investojmë në ujësjellës, për të bërë që çdo banor i Përmetit dhe i fshatrave të tij të ketë ujë 24 orë, si dhe do të rindërtojmë të gjitha shkollat që nuk janë rindërtuar deri tani në parametrat më moderne”, tha Berisha.
Kryeministri siguroi se qeveria do të bëjë çdo gjë për të ndërtuar infrastrukturën europiane në Përmet, sepse sipas tij, në qendër të alternativës që ofron "Aleanca për qytetarin" qëndrojnë interesat e qytetarëve shqiptarë.
“Përmeti ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, ka ujërat termale më të mirat në Ballkan dhe Vjosën, mbretëreshën e lumenjve të Shqipërisë, që përbën një pasuri të madhe për mbarë kombin. Përmeti ka traditën e dijeve dhe të shqiptarësisë”, tha Berisha.
Kryeministri ftoi fermerët e Përmetit që të mbjellin sa më shumë drurë frutorë, në mënyrë që Shqipëria të jetë një nga vendet më të rëndësishme në rajon për prodhimin e tyre.
“Ne do të shkojmë në BE si një nga prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve në Evropë. Nevojat e këtij kontinenti janë të jashtëzakonshme dhe prodhimet tona do të jenë më të preferuarat”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Përmetit që në 8 maj të votojnë kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin”.