“Bashkëpunimi me Agrobiznesin, fillimi i një partneriteti afatgjatë”
Kandidati Lulzim Basha bashkëbisedon me biznesin
Kandidati i maxhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha dje në një bashkëbisedim me përfaqësues të Agrobiznesit Shqiptar se, “bashkëpunimi me ta do të jetë fillimi i një partneriteti afatgjatë, bashkëpunim i cili ka të bëjë më sigurinë e ushqimeve të ofruar për qytetarët, si dhe arritjen e një standardi në fushat e veprimit të këtyre bizneseve, për një Tiranë Europiane”. “Në se ka një fushë ku standardi Europian duhet të jetë i pranishëm dhe nuk ka asnjë tolerim, ajo është fusha e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit”, tha Basha.
Basha foli për shërbimet që ky biznes u ofron qytetarëve , ndërsa shprehu nevojën për tregje më cilësore dhe me standarde, siguri maksimale për prodhimet që u ofrohen qytetarëve, duke filluar nga mishi, veza,perimet, frutat, buka etj.
“Partneriteti me biznesin, tha Basha, është prioritet kryesor dhe duhet të jetë i tillë për Bashkinë e Tiranës , pasi problemi kryesor i saj, ka të bëjë me punësimin, mirëqenien dhe çmimet”.
Për kandidatin e Bashkisë, tre ishin problemet të cilat deri më sot nuk janë konsideruar si pjesë integrale e detyrave të Bashkisë. Politikat që nxisin punësimin, ato për normalizim e çmimeve, dhe kushte sa më të mira të jetës në qytet.
Duke i konsideruar prioritete kryesore problemet e qytetit dhe qytetarit, Basha tha se Bashkia duhet të vendosë të gjithë mekanizmat e mundshme për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Në këtë kontekst, Basha i premtoi përfaqësuesve të Agrobiznesit se tek Bashkia, ata do të gjejnë një partner të fuqishëm, një zë të fuqishëm dhe mjet presioni për të përparësuar të gjitha problemet e përditshme, duke thjeshtuar burokracinë bashkiake, për të qenë sa më miqësore ndaj biznesit, pasi aktiviteti i tij është jetik për Tiranën.
Duke folur për sigurinë mjaft të ulët të tregjeve ushqimore, Basha bëri të ditur se në kontaktet e përditshme që ai ka pasur me qytetarët e Tiranës, ata i kanë shprehur shqetësimin e tyre për tregjet në Tiranë , të cilat ai tha se |kanë mbetur në kushte primitive dhe të papranueshme, që më shumë i përngjajnë tregjeve në vendet më të varfra në Botë”.
Për kandidatin Basha i domosdoshëm mbetet përmirësimi i infrastrukturës aktuale në të gjitha tregjet e Tiranës, kushtet higjeno- sanitare, infrastruktura nëntokësore, mbledhja e papastërtive, lehtësia e transportit që furnizon tregjet, si dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me informalitetin e tyre.
Basha premtoi edhe njëherë thjeshtim të sistemi fiskal, duke e bërë më transparentë kontaktin me biznesin, për shmangien e gjobave të padrejta në kurriz të biznesit, për një sistem fiskal me një bazë të gjerë, duke garantuar dyfishimin e buxhetit dhe përdorimin e tij në mënyrë transparente, ku në thelb do të jetë dhënia e shërbimeve nga ana e bashkisë për çdo taksë që biznesi i paguan asaj.