E Diel, 1 Nëntor 2026

4 vjet dekan apo 1 vit deputet? Vath Tabaku zgjedh këtë të fundit

Share

Kur vëmendja e të gjithëve ishte fokusuar tek votimi i kandidatit për president Bujar Nishani, kreu i Fakultetit te Shkencave Pyjore Vath Tabaku kishte nisur të mendonte zgjidhjen e dilemës: 4 vjet dekan apo një vit deputet? Profesori i shkencave pyjore në Universitetin Bujqësor është i 16-ti në listën emërore te Partisë Demokratike.

Me largimin e zotit Nishani drejt presidencës, Tabakut i takon atij vendi i tij në parlament. Edhe pas zhvillimeve me te fundit politike, dekanin e rizgjedhur, Vath Tabaku e gjetëm në fakultet, ku sapo kishte përfunduar leksionin. Për Vizion Plus profesori i silvikulturës tregon se ka pranuar tashmë mandatin një vjeçar të deputetit, por pa hequr dorë nga jeta akademike. Të parën telefonatë nga drejtuesit e Partisë Demokratike, Tabaku e ka marrë të martën në mëngjes nga kreu i PD për degën e Tiranës, Aldo Bumçi. Ky i fundit e ka pyetur për vendimin dhe pak minuta më pas deputeti i ardhshëm ka marrë urime. Dekani Tabaku, edhe pse i rezervuar, tregon se marrëdhëniet e tij me zotin Berisha dhe drejtues të tjerë të PD janë mjaft të mira dhe korrekte. Prej 20 vjetësh pedagog në Universitetin Bujqësor dhe po kaq edhe anëtar i Partisë Demokratike, Vath Tabaku pritet të lërë zyrën e dekanit për tiu drejtuar parlamentit. Tashmë pritet që zoti Nishani ti dorëzoje mandatin e deputetit kryetares së Kuvendit dhe kjo e fundit duhet ti drejtohet KQZ për mandatimin e Vath Tabakut. Kjo procedurë e zonjës Topalli mund të bëhet brenda ditës, por edhe si në rastin e zëvendësimit të mandatit të socialistes Rudina Seseri, mund të marrë muaj. Pas Vath Tabakut në listën emërore janë nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, dhe zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›