E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Topalli: Obama nisi një epokë



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndoqi nga afër ceremonitë e betimit të Presidentit Obama dhe shprehu emocionet e saj. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo tha se me Obamën nisi një epokë e re në historinë botërore, një epokë frymëzimi për të gjithë. “U ndjeva shumë e nderuar që pata mundësi ta ndiqja këtë ceremoni madhështore, shumë pranë asaj që ishte foltorja nga ku Presidenti Obama deklaroi se do të vendosë një epokë të re, duke pasur në perspektivën e tyre paqen, daljen nga kriza dhe mundësi për këtë erë të re”, - deklaroi nga SHBA-të Topalli. Ajo shtoi se është e pabesueshme një ceremoni e tillë, jo vetëm për ne, por edhe për amerikanët. “Një ceremoni ku kanë marrë pjesë mbi një milionë njerëz, të cilët kishin shkuar orë përpara në një të ftohtë shumë të madh për të zënë vendet e tyre. Ndihem shumë e nderuar në fakt që pata mundësi të shikoja këtë ceremoni madhështore për të cilën është vështirë të gjesh fjalë. Një ceremoni për të cilën kishte kohë që punohej nga një komitet midis Kongresit dhe Senatit dhe fjalimi i një presidenti, i cili do të përballet me sfida të jashtëzakonshme. Është një kohë sfidash, por edhe Presidenti Obama e konsideroi se në periudha të vështira mund të lindin dhe oportunitete të mëdha. Në fakt, edhe fjalimi i tij flet për vështirësitë e këtij momenti, por edhe për mundësitë e mëdha të populli dhe të kombi të madh amerikan”, - tha më tej Topalli. Ajo preku edhe ndjenjat e shqiptarëve ndaj SHBA-së. “Askush më shumë se ne shqiptarët nuk është popull më proamerikan; askush më shumë se ne ka luftuar për liri dhe demokraci dhe kjo shkon me linjën e doktrinës dhe filozofisë e fjalimit të Presidentit Obama, i cili tha se SHBA-të do të mbështesin popujt që punojnë për paqen dhe demokracinë”, - tha në fund të deklaratës së saj Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›