E Shtunë, 31 Tetor 2026

400 milionë kontrabandë

Që kur Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë marrë nën kontroll dy pikat doganore 1 dhe 31 në veri të vendit, duke vendosur edhe kamerat, ka shumë pak raste të kapjes së kontrabanduesve. Këto dy pika llogariten si shteg i hyrjes dhe daljes së mallrave të kontrabanduara. Ky shteg kontrabandimi, sipas drejtuesve të Aleancës Kosovare të Bizneseve, po i kushton buxhetit të Kosovës miliona euro.

“Kjo situatë i ka sjellë dëme të mëdha buxhetit edhe ashtu të varfër të vendit që arrijnë afërsisht 400 milionë euro për dy vitet e kaluara”, ka thënë kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në konferencë për media të mërkurën.

Sipas tij, ka kohë që këto dy pika janë nën kontroll të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, por nuk është raportuar asnjë rast i kapjes së ndonjë tentim kontrabande. Ndërkohë, pamundësia e kontrollimit të tyre po i rrezikon seriozisht kosovarët.

“Ne si AKB disa herë kemi prezantuar prodhime serbe që hyjnë në territorin e Kosovës me afat të skaduar dhe ku ripaketohen dhe shiten”, tha Shahini.

Fakti se nuk janë ndërmarr veprime konkrete as nga EULEX-i, e as nga Doganat e Kosovës, Shahini thotë se na bën të dyshojmë se kjo situatë kaotike do të vazhdojë duke mos sjellë rezultate konkrete. Mirëpo, megjithatë nga Dogana pretendimet e AKB-së se dy vitet e kaluara nga kontrabanda buxheti i Kosovës ka humbur 400 milionë euro, i quajnë të ekzagjeruara. Humbjet vjetore nga kontrabanda, sipas këtij institucioni, janë prej 15 deri 20 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Express se ka plot raste të kontrabandës që zihen nga policia dhe se është shënuar rritje në nivelin e zhdoganimit.

“Gjatë vitit 2008 ka pasur 39,7 milionë euro zhdoganim, kurse vitin 2009 niveli i zhdoganimit është rritur në 53,2 milionë euro”, tha Stavileci.

Sipas tij, 80 për qind e mallrave që hyjnë në pjesën jugore të Mitrovicës zhdoganohen, megjithatë këtë fat nuk e kanë mallrat që destinacion kanë pjesën veriore.

Një argument tjetër që përmend Stavileci është totali i importit nga Serbia që nuk shkon mbi 250 milionë euro. Sipas të dhënave të këtij institucioni, në vitin 2008 prej Serbisë janë importuar 208 milionë euro mallra dhe një milion më pak apo 207 milionë euro janë importuar vitin e kaluar.

“Ky është krejt kapaciteti i Serbisë për të eksportuar mallra në Kosovë. Po ashtu, derisa të hyrat nga doganat janë në rritje, nuk mund të kemi edhe rritje të kontrabandës”, tha Stavileci.

Nga ana tjetër, Kosova ka pranuar pyetësorin për marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian. Ndër kushtet kryesore që duhet t’i plotësojë Kosova me këtë marrëveshje, është aplikimi i sistemit doganor në tërë vendin.

Mirëpo, Shahini thotë se kjo gjë aktualisht nuk po ndodh. Tregtia e Kosovës është gati tërësisht e pabarabartë. Pastaj barrierat tarifore dhe jotarifore me vendet fqinje janë shumë prezente dhe prodhuesi vendor çdo ditë e më shumë po ngulfatet.

“Origjina e mallit përbën një problem tjetër për konsumatorët, pasi që një pjesë e madhe e tyre nuk e kanë të figuruar specifikacionin e prodhimit në gjuhën shqipe”, pohoi Shahini.

Gjithashtu drejtuesit e AKB-së mendojnë së konkurrenca paraqet një problem shumë të madh për të gjitha bizneset në Kosovë. Prodhuesit vendorë janë duke u përballur me një varg problemesh, siç është hyrja e prodhimeve të huaja me çmime shumë më të lira, duke u pamundësuar atyre që të mbulojnë madje as çmimin e prodhimit.

Aleanca për Biznes ka përshëndetur nisjen e procesit të vendosjes së arkave fiskale. Për afaristët, vendosja e arkave do të ndikojë në menaxhimin më të lehtë të bizneseve të tyre dhe vendosjen më të saktë të tatimit nga ATK-ja.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›