400 nxënës mësim në kushte të rënda
BERAT - Nxënësit e shkollës së përgjithshme në Lapardha të Beratit, prej disa muajsh e zhvillojnë mësimin në kushte të vështira, në mes të ftohtit në korridoret e Pallatit të Kulturës në këtë qytet. Vonesa e rikonstruksionit të shkollës ka bërë që 400 nxënës të udhëtojnë nga fshatrat drejt Beratit, për të mos humbur orët e mësimit. Nxënësit janë jo vetëm të nivelit të mesëm, por edhe të 9-vjeçares. Sipas mësuesve, firma ndërtuese që ka fituar tenderin, duhej ta kishte përfunduar rikonstruksionin e godinës. Ndërsa prindërit i bëjnë thirrje Drejtorisë Arsimore që të ndërhyjë te firma ndërtuese, pasi zhvillimi i mësimit në këto kushte është mjaft i vështirë. Burime nga Drejtoria Arsimore bënë të ditur se ekspertët e saj do të ndërhyjnë për të detyruar firmën që të zbatojë datën e projektit të përfundimit të punimeve. Dje në Pallatin e Kulturës ishte një grup inspektimi të Drejtorisë Arsimore për të parë situatën nga afër. d.xh