43-vjeçari në polici: Më ka rrahur ish-bashkëshortja
Një urdhër mbrojtjeje është lëshuar nga policia e kryeqytetit për një 43-vjeçar, i cili ka denoncuar se keqtrajtohet fizikisht nga ish-bashkëshortja. Ky urdhër është lëshuar nga Komisariati nr. 2, ndërkohë që është marrë në shqyrtim edhe nga Seksioni i Mbrojtjes ndaj Dhunës në Familje. Burimet policore bënë të ditur se para pak kohësh, Andrea Z., 43 vjeç, ka denoncuar se keqtrajtohej nga ish-bashkëshortja. Në këto kushte, ai ka kërkuar ndihmën e policisë. Pasi rasti është vlerësuar, ka rezultuar se gjatë një konflikti, E. Sh., 37 vjeçe, ka ushtruar dhunë ndaj ish-burrit të saj. Për këtë arsye, policia, duke u bazuar në ligjin mbi dhunën në familje, ka vendosur që ai të merret në mbrojtje. Uniformat blu shpjeguan më tej se ata kanë pak kohë që janë divorcuar dhe aktualisht janë në gjyq për kujdestarinë e fëmijëve.