E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kërkon një nënë, "rrëmbeu" fëmijën e saj

Fëmija i zhdukur disa ditë më parë është marrë nga nëna e tij, e cila është shpallur në kërkim nga policia. Policia e kryeqytetit ka mundur ta konstatojë këtë veprim të gruas 33-vjeçare, pasi babai i fëmijës denoncoi për zhdukjen e tij. Burimet policore shpjeguan se aktualisht, shërbimet po punojnë për gjetjen e tyre dhe sqarimin e plotë të ngjarjes. Bëhet fjalë për zhdukjen e mistershme që prej katër ditësh të një fëmije 10-vjeçar që ishte çuar në shkollë dhe nuk ishte kthyer më.
Pikërisht më datë 22 të këtij muaji, një fëmijë është zhdukur mistershëm duke e detyruar prindin e tij të bëjë kallëzim dhe të kërkojë ndihmën e policisë, pasi dështoi në përpjekjet për ta gjetur vetë të birin. Burime nga policia kanë bërë të ditur se rezulton i zhdukur fëmija dhjetëvjeçar, Endri B. I ati i djalit të vogël, Dashamir. B., ka denoncuar se në orën 08:00 të mëngjesit të ditës së enjte, i biri ka shkuar si zakonisht në shkollë, por nuk është kthyer më që andej. Në këto rrethana kanë nisur kërkimet, por 24 orë më vonë ende nuk ka pasur asnjë informacion. Duke parë këtë situatë, babai është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë. Mësohet se në kallëzimin e tij, babai 32-vjeçar nga Kukësi, që prej disa vitesh banon në Tiranë, ka hedhur dyshime që fëmijën ta ketë marrë ish-gruaja e tij, Valbona B. Ai ka shpjeguar se pas ndarjes nuk kanë pasur marrëdhënie shumë të mira mes tyre. E kjo e ka bërë atë të dyshojë se ajo mund të jetë njeriu që ka shkuar në shkollë dhe ka marrë djalin vjedhurazi. Burime policore konfirmuan atë ditë se e kanë pranuar kallëzimin e bërë nga 32-vjeçari dhe shtuan se në bashkëpunim me prokurorinë po bënin përpjekje për gjetjen e të voglit të zhdukur që prej katër ditësh.
Ndërsa dje, policia deklaroi se ka rënë në gjurmët e djalit 10-vjeçar. Sipas të dhënave hetimore ka rezultuar se fëmijën e ka marrë nëna e tij. Nga kontakti që policia ka pasur me familjarët e 33-vjeçares, mësohet se ajo kishte vendosur ta kryente këtë veprim, pasi ish-bashkëshorti nuk e lejonte të takohej me të. Në këto kushte, ajo e ka ruajtur kur ka mbaruar mësim dhe e ka marrë të birin. Megjithatë, kur policia ka kërkuar të takohet me nënën, e cila ka marrë fëmijën e saj, nuk ka mundur ta gjejë. Sipas të dhënave policore, ajo nuk ndodhet në banesën e saj në Tiranë. Në këto kushte, drejtuesit e Komisariatit nr. 6 e kanë shpallur në kërkim gruan, bashkë me fëmijën e saj. Madje, zyrtarisht u deklarua se po punohet për gjetjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave. Policia shpjegoi se ky nuk është rasti i parë që përballen me probleme të tilla. Shpesh herë çiftet e divorcuara bëhen objekt konfliktesh për fëmijët e tyre. Madje, disa herë për të fituar kujdestarinë e fëmijëve, kalojnë në veprime më ekstreme, duke denoncuar se dhunohen nga ish-bashkëshorti ose ish-bashkëshortja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›