E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet qarkullimi në rrugën Librazhd-Peshkopi

Rivihet në punë ura e shembur mbi përroin e Rrapunit në Rrethin e Librazhdit. Sipas informacioneve nga nënprefektura e këtij rrethi, mësohet se është rikthyer qarkullimi i të gjitha llojeve të automjeteve në segmentin rrugor Librazhd-Bulqizë, si rezultat i riparimit të plotë të urës në fjalë. Ajo doli jashtë funksionit dy ditë më parë, kur qarkullimi në aksin verilindor u paralizua plotësisht, pasi prurjet e shumta të përroit të Rrapunit shkatërruan pjesërisht një prej urave më të vjetra, ndërtuar gjatë pushtimit italian. Burime zyrtare konfirmuan dje se aktualisht në këtë aks rrugor, që lidh qytetin e Librazhdit me të gjitha fshatrat në pjesën veriore të këtij rrethi, është rikthyer normaliteti pas ndërhyrjes për rikonstruksion. Sipas nënprefektes së Librazhdit, Mimoza Qyra, rruga është bërë e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve. Dy ditë më parë, si rezultat i reshjeve të shumta, ura u dëmtua rëndë dhe për këtë shkak mbetën pa mësim edhe pesë prej shkollave kryesore të fshatrave Zgosht e Letën në Komunën e Lunikut, si dhe fshatrat Orenjë, Funarës e Zdranjsh të Komunës Orenjë në zonën e Çermenikës. Ndërkohë që u bllokua krejtësisht qarkullimi në drejtim të Stëblevës e Peshkopisë. Për të rikthyer normalitetin në zonë u punua gjatë dy ditëve të fundit, sepse ky segment rrugor është një nga më të rëndësishmit dhe i vetmi në këtë zonë. Megjithatë, banorët e fshatrave që mbetën të izoluar kanë kërkuar që firma që po rikonstruksion këtë segment rrugor ta vlerësojë seriozisht kohën e përcaktuar për përfundimin, si dhe cilësinë e punimeve, pasi riparimi në fjalë është i katërti që bëhet në dhjetë vjet.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›