E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton rëndë 48-vjeçarin, largohet nga vendi i ngjarjes

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Beratit, ku ka mbetur i plagosur një 48-vjeçar, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të autorit, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, 48-vjeçari Shkëlqim Dyrmo po udhëtonte me mjetin tip motor drejt qytetit të Beratit në aksin rrugor Berat-Urë Vajgurore. Një mjet tip BMW, që udhëtonte drejt Urës Vajgurore, mësohet se ka përplasur motorin dhe drejtuesin e tij që ka përfunduar në rrugë. Ndonëse përplasja ka qenë e rëndë për drejtuesin e motorit, drejtuesi i autoveturës është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Kanë qenë kalimtarët e rastit që i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit, duke e transportuar drejt spitalit të Beratit. Burime të repartit të kirurgjisë pranë këtij spitali bëjnë me dije se rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm ka mbërritur në gjendje të rëndë për jetën me plagë të shumta dhe fraktura 48-vjeçari Shkëlqim Dyrmo, banor i fshatit Lapardha të Rrethit të Beratit. Mjekët e këtij spitali i kanë dhënë ndihmën e parë shëndetësore, por për shkak të gjendjes së rëndë kanë vendosur disa orë më pas transportimin e tij drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për ndihmë më të specializuar.
Nga ana tjetër, ekspertët e Policisë Rrugore që shkuan në vendin e ngjarjes identifikuan drejtuesin e mjetit tip BMW, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve. Mjeti me targa të Beratit, BR1956A, u gjet i braktisur në fshatin Qereshnik, ndërkohë që autori i aksidentit është shpallur në kërkim policor.
Mi.Ha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›