E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimorët përplasen me policinë private që ruan uzinat

Në orën 12:00 të mesditës së të dielës inspektorët tatimorë të Tiranës dhe të Fierit i janë afruar Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier, me qëllim ekzekutimin e urdhrit të bllokimit. Në momentin që tatimorët kanë dashur të hyjnë brenda mjediseve të UPN-së janë përplasur me rojat privatë të uzinës. Këta nuk kanë lejuar që të ekzekutohej urdhri. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se mes kësaj përplasjeje kanë ndërhyrë edhe shumë të interesuar për furnizimin me bitum, i cili ishte ndërprerë. Debati ka degjeneruar deri në konfrontim fizik. Tatimorët janë tërhequr dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë së shtetit. Menjëherë drejt UPN-së ka shkuar patrulla e parë policore. Më pas, me dhjetëra uniforma blu kanë mbështetur ekzekutimin e urdhrit të bllokimit. Situata e acaruar nuk ka shënuar të lënduar apo të plagosur, por debati, edhe pse ka degjeneruar deri në përplasje fizike, ka ulur tempin pas ndërhyrjes së policisë së rendit. Inspektorët e Tatimeve thonë se nuk ka pasur përplasje me policinë e rendit, por me rojet e objektit që i përkisnin policisë private. Gjithashtu tatimorët kanë pohuar për "Shqip" se dy persona, që nuk ishin as të policisë private, as të Policisë së Shtetit nuk kanë lejuar të parët hyrjen e policisë tatimore. Ndërkohë, drejtori i Policisë së Qarkut Fier, Shemsi Premçi, i cili ka ndjekur nga afër ndërhyrjen e policisë së rendit ka thënë për "Shqip": "Patrulla e parë e policisë së rendit ka shkuar rreth tre minuta pas kërkesës për mbështetje. Kërkesa është bërë nga tatimorët". Premçi gjithashtu sqaroi se ka nisur hetimi për këtë ngjarje dhe se policia private është përplasur me tatimorët. "Lidhur me ligjshmërinë e ndërhyrjes së policisë tatimore, janë autoritetet e tatimeve ato që përgjigjen. Nëse ka vend për hetim nga krimi ekonomik, Policia e Fierit është treguar gjithmonë e gatshme që të veprojë", tha Shemsi Premçi. Ndërsa drejtues të kompanisë ARMO në UPN-në e Fierit dhe atë të Ballshit thanë se presioni është kryer si nga tatimorët ashtu edhe nga Policia e Shtetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›