E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy adoleshentë, "tmerr" i vjedhjeve në Babrru

Dy adoleshentë që ishin kthyer në tmerr për banorët e Babrrusë, janë arrestuar nga policia, pasi akuzohen për disa vjedhje. Edmond Muça dhe Oltion Hoxha janë arrestuar pasi u janë dokumentuar disa vjedhje banesash, të ndodhura në këtë zonë. Sipas të dhënave policore, vjedhja e fundit e tyre ka ndodhur dy ditë më parë. Burimet policore shpjeguan se arrestimi i tyre u realizua nga shërbimet e Komisariatit nr. 5. Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 23:30 të së shtunës u arrestuan në flagrancë shtetasit Edmond Selman Muça, 16 vjeç dhe Oltion Ismail Hoxha, 17 vjeç, banues në Allias. Arrestimi i tyre u krye sepse rreth orës 15:30, në Babrru, duke bashkëpunuar, kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit Abdulla S., 55 vjeç. Ata kanë studiuar momentin kur askush nuk ka qenë në shtëpi dhe pasi kanë hyrë brenda, kanë marrë 2200 lekë dhe një celular. Informacioni për kapjen e tyre erdhi nga një banor i zonës që rastësisht i kishte parë të rinjtë duke hyrë në banesën private. Por, nga veprimet e kryera të policisë, rezultoi se ata janë autorë të tre vjedhjeve të tjera në banesa. Policia shpjegoi se në Barru, pikërisht më 25 gusht, ata kanë vjedhur banesën e Sali M., të cilit i kanë plaçkitur lekë, celularë dhe disa sende të tjera. Gjithashtu, më 20 tetor ata kanë realizuar edhe vjedhjen e banesës së Vladimir M., në Paskuqan dhe një ditë më vonë janë rikthyer sërish në Babrru me vjedhjen e banesës së Thanas M. Sipas policisë, dy adoleshentët ruanin banesat e të njohurve të tyre, kur ata largoheshin dhe mbeteshin bosh, e pa u shqetësuar hynin dhe i bastisnin. Njëri bënte roje, ndërsa tjetri hynte brenda dhe kontrollonte për të gjetur sende me vlerë. Gjithashtu ata dyshohen edhe për disa vjedhje të tjera, por ende vazhdon puna për dokumentimin e plotë të veprave penale të kryera prej tyre.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›